Shqipëria Postuar më 28 Dhjetor 2025, 10:48

Rama në “Flasim”: Hapa konkretë drejt BE-së, turizmi motor i zhvillimit, rritja ekonomike mbi pritshmëritë

Nga SCAN TV

Rama në “Flasim”: Hapa konkretë drejt BE-së, turizmi

Në episodin e fundit të këtij sezoni të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të javës, duke u ndalur te performanca ekonomike e vendit, procesi i integrimit europian, mbështetja për bujqësinë dhe dialogu me sipërmarrjen.

Sipas tij, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.75% në tremujorin e tretë të vitit 2025, një nivel mbi parashikimet dhe më i lartë se mesatarja rajonale. Kjo rritje, tha ai, konfirmon një zgjerim të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet.

Turizmi mbetet motori kryesor i zhvillimit ekonomik. Vetëm gjatë tremujorit të tretë, të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën rreth 2.3 miliardë euro, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në afërsisht 1.9 mld euro, me një rritje vjetore prej 27%. Kjo performancë, sipas Ramës, ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.

Paralelisht, investimet e huaja direkte kanë vijuar të rriten, duke arritur në rreth 450 mln euro në 3-mujorin e tretë, me një rritje vjetore prej 10%. Investimet janë përqendruar kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia.

Kryeministri u ndal edhe te tregu i punës, duke theksuar se ndonëse norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8.1%, punësimi është rritur në 69.6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76.5%. Ndërkohë, paga mesatare bruto është rritur nga 776 euro në 830 euro, duke reflektuar përmirësim të të ardhurave të familjeve shqiptare.

Në fushën e bujqësisë dhe ushqimit, Rama prezantoi nismën “EuroAgro Albania 2025–2030”, e cila synon përgatitjen e sektorit për tregun e përbashkët europian dhe përmbushjen e kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave të anëtarësimit. Ai theksoi se sot mbi 67.500 fermerë përfitojnë mbështetje direkte nga shteti, ndërsa eksportet bujqësore kanë kaluar vlerën e gjysmë miliardë eurove dhe raporti i deficitit tregtar është përmirësuar ndjeshëm.

“EuroAgro Albania nuk është thjesht një faqe interneti, por një instrument pune dhe një udhërrëfyes praktik për fermerët dhe bizneset”, - tha Rama, duke nënvizuar se sfidat janë rritur, por edhe kapacitetet e sektorit janë në një nivel tjetër.

Një tjetër pikë e rëndësishme e javës ishte dialogu me sipërmarrjen, ku në fokus ishte zbatimi i Paqes Fiskale, e cila hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm. Sipas Ramës, kjo nismë synon ndërtimin e një marrëdhënieje të re mes administratës tatimore dhe biznesit, duke ofruar mundësi për vetëkorrigjim të deklarimeve të mëparshme me një tatim fitimi të reduktuar dhe duke ulur barrën burokratike.

 

MATERIALI I PLOTE:

Shënimet e javës

Në nisje të episodit të fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës.

Shqipëria 54 vende më lart në qeverisjen digjitale

Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik. 

E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jeësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqiperise, me dije, vullnet e pwrkushtim tw pwrditshwm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.

Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale. 

Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë. 

Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit. 

Linku i raportit gjendet në faqen e Bankës Botërore: https://www.worldbank.org/content/programs/govtech/en/gtmi-2025-update.html

Rritja ekonomike dhe histeria politike mediatike

Edhe këtë javë zhurma e 700 tenxhereve politike mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira - paçka se kjo që kaloi ishte edhe javë Krishtlindjesh. 

Pikërisht, këtë javë, doli edhe rezultati i tremujorit të tretë të vitit, ku ekonomia shqiptare u rrit me 3.75% - një ritëm rritjeje mbi parashikimin dhe dukshëm më i lartë se sa mesatarja rreth e rrotull nesh, çka  konfirmon performancën pozitive të ekonomisë sonë dhe reflekton një zgjerim të qëndrueshëm e të balancuar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike.

Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2.3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në rreth 1.9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%. Për ta bërë të prekshme për të gjithë, theksoj se kjo performancë e fortë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.

Po ashtu, besimi i investitorëve mbeti i fortë edhe në tremujorin e tretë. Investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, me një rritje vjetore prej 10%, të përqendruara kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia.

Jo vetëm kaq, po rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës. Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8.1%, por punësimi është rritur në 69.6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76.5%. Paralelisht dhe përsëri për ta bërë të prekshme gjithçka po them, paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830 euro, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga puna dhe një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të familjeve. 

EuroAgro Albania 2025–2030

Këtë javë prezantuam një mekanizëm praktik dhe të domosdoshëm për përgatitjen e bujqësisë dhe sektorit ushqimor për tregun e përbashkët europian, me Kapitujt 11, 12 dhe 13 në zemër të procesit të negociatave të anëtarësimit. Do të jetë një sfidë e fortë, por çka kemi bërë në një dekadë, na jep besim dhe forcë se do të bëjmë gjithçka duhet për t’ia dalë edhe në dy vitet e ardhshme që t’i mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. 

Një dekadë më parë, vetëm 5600 fermerë merrnin një mbështetje simbolike asokohe nga shteti. Sot janë 67.500 fermerë që përfitojnë çdo vit mbështetje reale, e cila peshon në portofolin e fermës së tyre. Eksportet dikur ishin një privilegj i një grushti fermerësh, ndërsa sot produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliardë euro, ndërkohë që raporti i deficitit tregtar, pra eksporte dhe importe të produkteve ushqimore, ka zbritur nga 1 eksport, 9 import në 1 eksport dhe vetëm 3 import.

Sot jemi në një tjeter nivel po edhe sfidat janë të një niveli tjetër. 

EuroAgro Albania nuk është një website më shumë, nuk është një faqe më shumë në internet, por është një instrument pune, një udhërrëfyes hap pas hapi, si burim informacioni për standarde, afate dhe detyrime konkrete, si edhe një kanal dialogu i hapur për fermerët dhe bizneset në këtë rrugë drejt anëtarësimit.

 Dialogu me sipërmarrjen

Një kapitull i ri partneriteti dhe besimi sapo ka nisur me sipërmarrjen, natyrisht mbi themelet që tanimë janë hedhur dhe këtë javë folëm gjerë e gjatë, duke ndarë disa pikëpamje e duke patur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale, një zotim i fushatës sonë elektorale, që sot është ligj dhe duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm hyn në zbatim.

Në thelb, paqja fiskale synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Ajo u jep mundësi ndërmarrjeve, që nuk janë në konflikt me ligjin të vetëkorrigjojnë deklarimet e të shkuarës, t’u rikthehen pasqyrave të mëparshme dhe për çdo korrigjim të paguajnë një tatim fitimi vetëm 5%.

Po ashtu, marrëveshja mes sipërmarrjes dhe administratës mbi tavanin e ri të fitimit vjetor, sjell paqe e qetësi, shmang çdo inspektim dhe ul barrën burokratike, që shpesh peshon më shumë sesa barra fiskale.

Nga kjo nismë presim më shumë formalizim, më shumë energji sipërmarrëse dhe më shumë ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Çlirimi i të gjitha sipërmarrjeve nga të gjitha gjobat e vjetra, borxhet e vjetra, sipas skedulës së përcaktuar shkon në këtë drejtim.  

Maturantët ekselentë

Një nga momentet më frymëzuese të javës ishte mikpritja e jo pak, por 190 maturantëve ekselentë nga e gjithë Shqipëria, të cilët u nderuan me plot meritë me Medaljen e Artë.

Shembujt janë thelbësorë për çdo shoqëri dhe Medalistet e artë të gjimnazit janë forca e një shembulli të shkëlqyer, janë fëmijë që vijnë nga familje me status të ndryshëm social dhe ndër ta, ka fëmijë që vijnë edhe nga familje që mezi e arrijnë fundin e muajit, por shembulli i tyre na thotë të gjithëve se mund të kërkosh dhe të gjesh me plot të drejtë justifikime për të mos bërë atë që duhet, por kjo botë është e atyre që nuk kërkojnë justifikime, por që ecin përpara për të bërë atë që duhet. Dhe dua t’u uroj nga zemra të gjithë atyre fëmijëve që të rriten kështu, me ambicie dhe pa u dëorëzuar kurrë në rrugën për realizimin e ëndrrës së tyre.

Për Shqipërinë që ecën përpara

E meqë ky është episodi i fundit i vitit, lejomëni të bëj edhe një shënim disi të përveçëm. 

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë. 

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.

Kjo Shqipëri, Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime. 

Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtesinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bejmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat