Shqipëria Postuar më 14 Qershor 2026, 09:54

Rama kritikon klimën e protestave: Po shtohen anulimet e rezervimeve

Nga Scan TV


Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Edi Rama u ndal te disa nga pasojat që, sipas tij, po shkaktojnë protestat dhe tensionet politike në vend. Ai ngriti shqetësimin për ndikimin që këto zhvillime mund të kenë mbi sezonin turistik, ekonominë lokale dhe klimën sociale në Shqipëri. Duke marrë si shembull Vlorën dhe Durrësin, Rama argumentoi se efektet po ndihen tashmë në sektorin e turizmit, ndërsa dënoi edhe fenomenin e bullizmit në rrjetet sociale ndaj personazheve publikë.

"Dhe, duke shkuar në Vlorë, dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike, e cila po forcohet dita-ditës: anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj. Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: “Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.

Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante dhe bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi.

Domethënë, nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë ato para që do të hyjnë normalisht me një sezon turistik të qetë, atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo. Nëse ka një axhendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe, përmes pengesës, për të krijuar një frustrim dhe pastaj për t’i bërë njerëzit që të thonë: “Hajde se po e heqim këtë qeveri, vetëm që të na lini rehat”, atëherë kjo është një axhendë që nuk është e re. Është një axhendë që është përdorur në vende të tjera, është një axhendë që është përdorur dhe këtu nga molotovarët, por që nuk ka për të funksionuar. Dëmi, patjetër që do të jetë i madh, edhe i panevojshëm, sipas meje.

Një tjetër simptomë shumë e neveritshme është bullizmi ndaj njerëzve në Facebook dhe Instagram. Kam parë me shumë keqardhje se si një këngëtar si Ylli Limani, një këngëtar i dashur për një masë njerëzish – nuk është këngëtari im i preferuar, unë i përkas një brezi tjetër dhe jetoj me të tjera dëshira që lidhen me muzikën – por është një këngëtar shumë i respektuar, shumë i preferuar, që ka bërë një koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, e kanë “masakruar” me sharje, me presione dhe me kërcënime për të anuluar koncertin dhe për të mos i dhënë njerëzve kënaqësinë që të kenë një moment të bukur muzike, sepse njerëzit do të fokusohen tek protesta", u shpreh Rama.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat