Shqipëria Postuar më 14 Qershor 2026, 10:10

Rama: E ardhmja e ekonomisë shqiptare varet nga kapitali njerëzor, arsimi profesional po kthehet në një zgjedhje strategjike për të rinjtë

Nga Scan TV


Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te zhvillimi i arsimit profesional në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore për rritjen ekonomike të vendit në vitet e ardhshme. Duke iu referuar Konferencës së Tretë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama theksoi se sfida kryesore e ekonomisë shqiptare nuk lidhet më me mungesën e investimeve, por me nevojën në rritje për kapital njerëzor të kualifikuar.

“Edhe një shënim tjetër. Këtë javë mora pjesë në një konferencë, e treta kombëtare e arsimit dhe formimit profesional, ku u diskutua gjerësisht për sfidën që përcakton edhe një pjesë të mirë të suksesit të ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme: kapitalin njerëzor.

Sot Shqipëria nuk ka më për problem mungesën e investimeve. Përkundrazi, sot Shqipëria përballet me gjithmonë e më shumë investime dhe gjithmonë e më shumë nevojë për specialistë, teknikë, profesionistë të kualifikuar, sepse këto investime kërkojnë kapital njerëzor të kualifikuar nga turizmi i nivelit të lartë, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika apo shërbimet e tjera bashkëkohore.

Kërkesa për fuqi të kualifikuar rritet me ritme shumë më të shpejta sesa oferta. Pikërisht për këtë arsye, arsimi profesional merr gjithnjë e më shumë një rol strategjik. Nëse dikur shihej si një ngushëllim për ata që ishin më të lodhurit dhe nuk arrinin dot as ta mendonin derën e universitetit, sot ai është bërë një nga dy rrugët dhe madje një rrugë me garanci të mëdha drejt punësimit dhe karrierës.

Këtë e shpjegon fakti që jo vetëm numri i nxënësve është rritur, por edhe që 67% e atyre që mbarojnë arsim profesional punësohen menjëherë. Ndërkohë që, në disa fusha, siç është, për shembull, turizmi, 100% e atyre që bëjnë arsim profesional punësohen.

Dhe objektivi ynë është shumë i qartë: që të shtyjmë përpara një projekt të nisur vite më parë për ta bërë arsimin profesional anën tjetër të medaljes së arsimit në Shqipëri dhe t’u japim mundësi të gjithë atyre që investojnë që të mbështeten në burime njerëzore të kualifikuara”, tha Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat