Shqipëria Postuar më 1 Tetor 2025, 13:22

Qytetarët, optimistë për blerjet e mëdha - BSH: Besimi në ekonomi tkurret me 1.3 pikë. Shërbimet dhe konsumatorët, të vetmit në rritje

Nga Ledina Elezi

Qytetarët, optimistë për blerjet e mëdha - BSH: Besimi

Besimi në ekonomi nuk e ka ndalur prirjen rënëse edhe në shtator. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u tkurr me 1.3 pikë. Kjo rënie erdhi për shkak të dobësimit të besimit në sektorët e industrisë dhe tregtisë, ndërsa shërbimet dhe konsumatorët janë të vetmit me rritje të besimit.

Konkretisht, besimi në industri ra me 6.3 pikë përqindje në muajin shtator, si rrjedhojë e vlerësimeve të përkeqësuara për prodhimin industrial dhe pritjet negative për porositë nga eksportet. Bizneset e këtij sektori presin çmime në rënie në të ardhmen.

Ndërkohë, besimi i konsumatorëve në ekonomi është rritur me 0.8 pikë përqindje. Kjo rritje e besimit të konsumatorëve në ekonomi erdhi për shkak të mundësisë për të kryer blerje të mëdha momentalisht dhe pritshmërisë për të bërë edhe më shumë blerje në të ardhmen. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë shumë optimistë për gjendjen e tyre financiare dhe situatën e përgjithshme në ekonomi në të ardhmen.

Rritja e kërkesës në bizneset që operojnë në sektorin e shërbimeve, bëri që besimi në këtë sektor të rritet me 2.5 pikë përqindje në muajin e mëparshëm. Ata parashikojnë edhe ulje të çmimeve në vijim. Nga ana tjetër, besimi në ndërtim nuk ka ndryshuar.

Për sa i përket besimit në tregti, ai ra me 9.7 pikë përqindje në shtator, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të fundit. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga vlerësimet në ulje për ecurinë aktuale të biznesit dhe më pak pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen gjithashtu shënuan rënie.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat