Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2026, 10:59

Qeveria synon krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit - Kapital dhe grante për startup-et. Ndryshon strategjia e zhvillimit të biznesit

Nga Diamila Leka

Qeveria synon krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit - Kapital dhe

Qeveria ka hedhur një tjetër hap në mbështetje të sipërmarrjes inovative. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021–2027, të cilat parashikojnë krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit.

Fondi synon të adresojë mungesën e financimit me të cilën përballen startup-et dhe ndërmarrjet shqiptare që kanë kaluar fazën fillestare të zhvillimit dhe kërkojnë kapital për t'u zgjeruar.

Sipas dokumentit, instrumenti do të kombinojë grantet e pakthyeshme me investimet në kapital, duke nxitur bashkëfinancimin mes shtetit dhe investitorëve privatë. Qëllimi është që kapitali publik të shërbejë si katalizator për të tërhequr më shumë investime private dhe jo t'i zëvendësojë ato.

Fondi do të projektohet dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përmes agjencisë "Innovation4Albania", duke u mbështetur edhe në përvojën e shpërndarjes së 12 milionë eurove grante gjatë tre viteve të fundit.

Dokumenti parashikon që fondi të menaxhohet sipas modeleve të Bashkimit Evropian, me ndarje të qartë mes mbikëqyrjes strategjike dhe vendimmarrjes për investimet, me synimin për të garantuar transparencë, meritokraci dhe pavarësi nga ndikimet politike.

Ndërkohë, madhësia e fondit, vlera e investimeve dhe sektorët prioritarë do të përcaktohen në fazën e projektimit, pas analizës së ekosistemit të inovacionit dhe praktikave më të mira evropiane.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat