Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 12:39

Qeveria, plan për uljen e çmimit të naftës - Opsionet / Nga përfshirja në import e shpërndarje, te ulja e taksave 

Nga Ola Mitre

Qeveria, plan për uljen e çmimit të naftës - Opsionet /

Qeveria po planifikon të ndërhyjë të tregun e naftës, me qëllim uljen e çmimit për konsumatorët, sipas kryeministrit Edi Rama.

“Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë edhe është diçka që e shohim plotësisht të mundshme dhe të bëshme. Besoj që brenda këtij viti, do të jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe në shpërndarjen e naftës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, të cilëve do t’ua bëjmë jetën më të lehtë sepse do të mund të kenë qeverinë si garante të importit dhe furnizimit me naftë. Kjo gjë do të na vërë ne, në pozitën ku do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm sesa çmimi aktualisht i naftës në Shqipëri, i cili patjetër lidhet me atë përbërjen që ka çmimi për shkak edhe të taksës së qarkullimit, por që tani ka ardhur koha të veprojmë në një mënyrë tjetër”, - tha Rama.

Kjo deklaratë e kryeministrit Rama mund të sjellë si opsion një ndryshim të rëndësishëm në rolin që shteti shqiptar do të luajë në tregun e naftës duke qenë një aktor në importin dhe shpërndarjen e naftës në vend. Deri tani, këto procese janë kryer nga kompani private.

Po ashtu, sipas Ramës qeveria do të jetë “garante e importit dhe furnizimit”, që do të thotë se ajo synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me naftë për tregun vendas, ndoshta duke përdorur kapacitetet e veta logjistike, marrëveshje ndërkombëtare apo fonde shtetërore.

Rama pranon se çmimi aktual i naftës është i lartë dhe “i lidhur me përbërësit e tij”, përfshirë taksën e qarkullimit. Edhe pse nuk deklarohet prerazi një ulje taksash, përfshirja e qeverisë mund të jetë një mënyrë për të anashkaluar disa prej kostove që rrisin çmimin për konsumatorin final.

Aktualisht, taksa e qarkullimit është 27 lekë/litër, ndërsa pjesë e çmimit janë edhe taksa e karbonit, akciza, taksa e rilicencimit, etj. mbi të cilat aplikohet edhe TVSH, duke shkuar në një total taksash prej rreth 123 lekë/litër. Një ndryshim i regjimit fiskal do të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin final, duke ulur kostot për konsumatorët. 



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat