Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2025, 14:33

Qeveria, paketë për dëmet nga zjarri në toka bujqësore - Denaj: Do të bëjmë realizimin e të mbjellave të reja. Furnizim me ushqim për bagëtitë

Nga Ledina Elezi

Qeveria, paketë për dëmet nga zjarri në toka bujqësore

Qeveria po punon për hartimin e një pakete mbështetëse ndaj atyre fermerëve që u janë djegur tokat bujqësore prej zjarreve të muajve të fundit.

Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, që prej fillimit të vitit e deri më tani, në Shqipëri janë përhapur 59 vatra zjarri dhe janë djegur mbi 29 mijë hektarë sipërfaqe.        

Qarqet më të prekura rezultojnë Vlora, Dibra, Tirana dhe Berati. Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, puna në vijim do të konsistojë në vlerësimin e dëmeve nga ana e bashkive. Ndërkohë, do të ndërtohen edhe 4 qendra rajonale të emergjencave civile, të cilat do të ndihmojnë në uljen e helikopterëve.

“Deri në vitin 2024, sezonet verore kishin mesatarisht 6 zjarre në javë, ndërkohë që këtë vit kemi pasur 13 zjarre në javë. Aktualisht, na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, 1 objekt kulti dhe një nënstacion energjie. Bashkitë të vijojnë sa më shpejt, siç e thashë me vlerësimin e dëmeve, në çdo fshat, sa rrënjë ullinjsh, sa kullota, sa objekte të dëmtuara, zonat e mbrojtura që kanë qenë po ashtu të angazhuara qoftë edhe në aspektin operacional me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, dhe Agjencinë përkatëse, por tani duhet të evidentojnë edhe ato dëmet përkatëse, pra duhet që të inventarizojmë çdo gjë. Po ashtu, duhet të vijohet, siç ka ndodhur faktikisht në disa bashki, me rikthimin e shërbimeve dhe rehabilitimin e infrastrukturës përkatëse”, u shpreh Vengu.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se qeveria do të financojë rivitalizimin e tokave të prekura dhe realizimin e të mbjellave të reja.

“Gati 29 mijë hektarë, të cilat sigurisht përfshijnë jo vetëm pyje dhe kullota, por edhe sipërfaqe me të mbjella. Së bashku me Ministrinë në sektorin e zhvillimit, ne jemi duke menduar një paketë mbështetëse për të rivitalizuar këtë pjesë me të mbjella dhe këtu jemi duke përgatitur një paketë mbështetëse për të realizuar këtë rivitalizim me të mbjella në rastin e dëmeve të evidentuara”, deklaroi Denaj.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se lufta ndaj zjarreve pritet të jetë më e vështirë gjatë muajit gusht. Shumica prej zjarrvënieve kanë qenë të qëllimshme, ndërsa deri më tani janë arrestuar 21 persona.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat