Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 15:53

Qeveria miraton procedurat për kthimin e garancive shtetërore dhe menaxhimin e kredive të pakthyera

Nga SCAN TV

Qeveria miraton procedurat për kthimin e garancive shtetërore dhe

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e procedurës së detajuar për kthimin e garancive, huave dhe nënhuave, si dhe për procedurat e marrjes në pronësi, administrimit dhe shitjes së pasurive të lëna si garanci nga huamarrësit.

Vendimi synon të përcaktojë parimet, rregullat dhe procedurat për menaxhimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore të dhëna për huat dhe nënhuat, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të pakthyera, të akorduara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para procesit të privatizimit.

Sipas vendimit, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera do të jetë institucioni përgjegjës për nisjen e procedurave për rikuperimin e detyrimeve, pasi të marrë njoftimin nga Ministria e Financave për pagesën e kryer të garancisë shtetërore në favor të institucionit huadhënës.

Agjencia do të njoftojë huamarrësit për detyrimet e papaguara dhe do të mbikëqyrë gjendjen financiare të tyre. Në rast se konstatohet mospagim i detyrimeve, do të ndërmerren procedura për bllokimin e llogarive bankare, sekuestrimin e shumave dhe ndjekjen e procedurave përmbarimore deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Vendimi përcakton gjithashtu procedurat për menaxhimin e garancive sovrane, përfshirë raportimin periodik nga bankat e nivelit të dytë dhe verifikimin e kërkesave për pagesë nga Agjencia, para se të autorizohet pagesa nga Ministria e Financave.

Në rast se huamarrësit nuk shlyejnë detyrimet, pasuritë e lëna si garanci ose edhe pasuri të tjera të debitorëve mund të kalojnë në pronësi të Agjencisë përmes procedurave përmbarimore. Këto pasuri do të administrohen nga Agjencia dhe më pas do të shiten përmes ankandit publik, sipas legjislacionit në fuqi për shitjen e pronës shtetërore.

Të ardhurat e realizuara nga shitja e këtyre pasurive do të derdhen në buxhetin e shtetit.

Vendimi gjithashtu shfuqizon vendimin nr.681, datë 11 qershor 2009, të Këshillit të Ministrave për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror në Agjencinë e Trajtimit të Kredive.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, ndërsa ai hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat