Shqipëria Postuar më 17 Prill 2025, 18:02

Qeveria miraton përbërjen dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Aviacionit Civil

Nga SCAN TV

Qeveria miraton përbërjen dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar

Në mbledhjen e qeverisë së kësaj së enjteje është miratuar përbërja dhe funksionimi i Komitetit Kombëtar të Aviacionit Civil, me propozim nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. 

Është vendosur që Komiteti kryesohet nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe përbëhet nga:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – zëvendëskryetar;
Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, Policia e Shtetit– anëtar;
Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit, Policia e Shtetit – anëtar;
Komandanti i Forcës Ajrore, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë – anëtar;

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;
Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit  – anëtar;

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave – anëtar;
Drejtori i Përgjithshëm i Ofruesit të Shërbimeve të Lundrimit Ajror, Albcontrol – anëtar;
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike – anëtar;
Drejtori i Sigurisë së Aviacionit, Autoriteti i Aviacionit Civil – anëtar.

Komiteti ka një sekretar, i cili është përfaqësues nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Komiteti ka për detyrë koordinimin e aktiviteteve të sigurisë ndërmjet departamenteve dhe organizatave të tjera shtetërore, aeroporteve dhe operatorëve ajrorë, ofruesve të shërbimeve të lundrimit ajror dhe entiteteve të tjera të lidhura ose që janë përgjegjëse për zbatimin e Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe standardeve për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjeve të paligjshme.


Komiteti mblidhet jo më pak se 2  herë në vit, me kërkesë të kryetarit, ose sa herë kërkohet me shkrim nga të paktën 1/3 e anëtarëve të tij. Për çdo mbledhje përcaktohen çështjet për diskutim.

Komiteti mund të ngrejë grupe pune ose komisione teknike për të raportuar mbi qëndrueshmërinë operacionale të programeve kombëtare të sigurisë së aviacionit dhe masave të reja, me qëllim përmirësimin e tyre.


Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë, pa të drejtë vote, dhe përfaqësues të subjekteve operuese në aeroporte ose që kanë lidhje me veprimtaritë në aeroporte, të tjerë përfaqësues të misioneve apo organizatave ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri e që kanë lidhje me sigurinë e aviacionit, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e qëllimit të Komitetit.


Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 7 (shtatë) ditë përpara mbledhjes. Në rastet e jashtëzakonshme, data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 1 (një) ditë përpara mbledhjes.


Për çdo mbledhje, sekretari i Komitetit mban procesverbal, i cili përmban të dhëna, të paktën, për datën e mbledhjes, pjesëmarrjen, diskutimet, votimin, për rastet kur ka vota kundër, miratimet, mosmiratimet, me shpjegimet përkatëse, si dhe nënshkrimet e anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje dhe të sekretarit.


Kur Komiteti del me një vendimmarrje, sekretari i Komitetit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e mbledhjes, harton vendimin e Komitetit, i cili përmban të detajuara konkluzionet përkatëse.


Vendimi nr.74, datë 2.2.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil”, shfuqizohet.


Ngarkohen Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.

 

Qeveria miraton përbërjen dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat