Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 15:51

Qeveria miraton kompensimin e kontributeve për bizneset e prekura nga rritja e pagës minimale

Nga SCAN TV

Qeveria miraton kompensimin e kontributeve për bizneset e prekura nga

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e rregullave, kritereve dhe masës së kompensimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëdhënësit, si pasojë e rritjes së pagës minimale.

Sipas vendimit, bizneset që preken nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë kompensim financiar mujor për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për periudhën kontributive janar–shtator 2026.

Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e numrit të punonjësve me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë, të deklaruar në listëpagesat pranë organeve tatimore për muajin shtator 2025.

Vendimi parashikon që kompensimi financiar të jepet çdo muaj nga Drejtoritë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), në vendin ku subjekti zhvillon pjesën kryesore të aktivitetit.

Subjektet që kërkojnë të përfitojnë nga kjo skemë duhet të plotësojnë disa kritere, ndër të cilat të mos jenë në pronësi shtetërore apo ente publike dhe të mos kenë detyrime për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ndaj organeve tatimore në momentin e aplikimit.

Aplikimi për përfitimin e kompensimit do të kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, nga data 1 prill deri më 31 tetor 2026.

Sipas vendimit, masa e kompensimit do të jetë 16.7% e kontributeve të punëdhënësit, e llogaritur mbi diferencën e pagës për punonjësit që në shtator 2025 paguheshin nga 40 mijë deri në 49 999 lekë dhe që me rritjen e pagës minimale do të paguhen me 50 mijë lekë.

Efekti financiar për periudhën janar–shtator 2026 do të përballohet nga buxheti i shtetit, në programin “Tregu i punës” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat