Shqipëria Postuar më 9 Tetor 2025, 10:07

Qeveria, 1.2 mld lekë për kompensimin e pronarëve - 435 qytetarë fitojnë të drejtën e blerjes së truallit

Nga Ernilda Luzi

Qeveria, 1.2 mld lekë për kompensimin e pronarëve - 435

Këshilli i Ministrave miratoi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të    paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet e legalizuara   në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë, Durrës–Kavajë–Krujë, Elbasan, Shkodër, Korçë, Lezhë, Sarandë, Kamzë–Vorë, Pogradec, Lushnjë, Fier dhe Vlorë.

Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1.2 miliard lekë, për sipërfaqen 112 mijë e 752.5m² pasuri të paluajtshme që përfshihen në këtë proces kompensimi.

Ky vendim ka ndikim dhe përfitim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet tashmë të legalizuara, duke garantuar zgjidhje ligjore dhe të drejtë.
435 qytetarë të cilët janë pajisur më parë me vendim legalizimi për objektet e tyre, tani fitojnë të drejtën për të blerë parcelën ndërtimore sipas kuadrit ligjor në fuqi, duke siguruar kështu pronësinë e plotë dhe të ligjshme mbi banesën dhe truallin ku ajo ngrihet.
Nga ana tjetër, 515 pasuri që preken nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht, duke u ofruar pronarëve një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë. Referuar vendimit, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion  nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Ky vendim është pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të vendosur qytetarin në qendër të reformës së pronësisë, duke i dhënë fund pasigurive të krijuara ndër vite për mijëra familje, me qëllim që çdo qytetar shqiptar të ketë një pronë të sigurt, të regjistruar dhe të mbrojtur ligjërisht.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat