Shqipëria Postuar më 6 Shkurt 2026, 13:54

Qendrat e të dhënave në Shqipëri - Sfida për energjinë elektrike, nga rritja e kapaciteteve prodhuese te investimet në rrjet

Nga Ola Mitre

Qendrat e të dhënave në Shqipëri - Sfida për

Teksa një kompani izraelite synon të ndërtojë qendrën e parë të të dhënave në Shqipëri, vëmendja për këtë investim përqëndrohet edhe te energjia elektrike. Kjo pasi, këto lloj infrastrukturash konsumojnë sasi të konsiderueshme energjie, çka kërkon rritje të kapaciteteve gjeneruese, ndërsa sipas Komisionit Europian veçanërisht sfidues është dhe fakti që kjo rritje pasohet me mungesë të kapacitetit të disponueshëm për t'u lidhur me rrjetin.

Qendrat e të dhënave janë një infrastrukturë jetësore që mbështet tendencën të rritje të ruajtjes së të dhënave në cloud, përdorimit të mediave sociale, inteligjencës artificiale, etj. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ato janë përgjegjëse për rreth 1.5%, ose 415 tWh, të konsumit total vjetor të energjisë elektrike në botë. Kjo vlerë është rritur me 12% në vit gjatë 5 viteve të fundit dhe parashikimet tregojnë se do të dyfishohet deri në vitin 2030.

Në këtë kontekst nevojiten investime në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Aktualisht, Shqipëria ka potencial të lartë në këtë drejtim për shkak të rrezatimit diellor apo erës. Ndërkohë që, shtylla e tranzicionit energjetik, e parashikuar në Programin e Reformave Ekonomike 2026 – 2028, synon krijimin e një sistemi transparent ankandesh për të paktën 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë, përgjatë këtyre viteve ka patur një sërë kompanish private që kanë paraqitur aplikime për projekte energjetike, një pjesë e të cilave janë miratuar.

Gjithsesi, sfidë mbetet lidhja e tyre me rrjetin, që sipas Entit Rregullator të Energjisë kërkon investime në shtuara në këtë drejtim. Në fakt, plani i investimeve 2025 -2027 i Operatorit të Sistemit të Tranmsetimit e ka në fokus rritjen e kapaciteteve akomoduese të rrjetit në funksion të lidhjes së centraleve të burimeve të rinovueshme të energjisë, që parashikohet t’i shtohen sistemit elektrik. Në total, OST parashikon të kryejë 16 mld lekë investime apo rreth 160 mln euro për zhvillimin e rrjetit të transmetimit, përfshirë komponentin e mësipërm. Në anën tjetër plani i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është duke u shqyrtuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ndërsa drafti i paraqitur fokusohet te rritja e kapaciteteve të nënstacioneve ekzistuese si dhe ndërtimin e nënstacioneve të reja, për të përballuar rritjen e kërkesës dhe ngarkesës në rrjet.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat