Shqipëria Postuar më 25 Mars 2025, 11:49

“Qendrat e strehimit në Shqipëri të përdoren për riatdhesim” - Ministri i Brendshëm italian zbulon planin, por kërkohen ndryshime ligjore

Nga Kristi Ceta

“Qendrat e strehimit në Shqipëri të përdoren për

Italia planifikon të shndërrojë qendrat e pritjes në Shqipëri në qendra riatdhesimi të përhershëm për emigrantët e parregullt. Plani kërkon ndryshime ligjore dhe rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë, duke shkaktuar kritika nga opozita.

Për të siguruar përdorimin e godinave të strehimit në Shqipëri, Italia planifikon t'i shndërrojë ato në qendra riatdhesimi. Ky opsion mund të bëhet i zbatueshëm sapo plani i komisionerit të BE-së për Punët e Brendshme Magnus Brunner të hyjë në fuqi, sipas Euroactiv.

Ndonëse funksionale që nga tetori, qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, Shqipëri, kanë mbetur bosh për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore të vazhdueshme. Qendrat janë në pritje të një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që pritet deri në fund të majit, pasi Gjykata e Romës referoi çështjen për të përcaktuar se cilat vende mund të klasifikohen si "të sigurta" për emigrantët e kthyer.

Për të kapërcyer këtë ngërç përpara vendimit, qeveria italiane po shqyrton ripërdorimin e objekteve si Qendra për Riatdhesim të Përhershëm. Në vend që të strehojnë emigrantët e ndaluar në ujërat ndërkombëtare, siç ishte planifikuar fillimisht, qendrat do të përdoren për të mbajtur emigrantët e parregullt që janë tashmë në Itali, të cilët janë caktuar për deportim.

Pas shumë spekulimesh, Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi konfirmoi një pjesë të planit në një intervistë me La Stampa. “Qendrat shqiptare mund të ndihmojnë në forcimin e sistemit të riatdhesimit për emigrantët e parregullt që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Itali,” tha ai, duke shtuar se ato janë tashmë të pajisura për të trajtuar deportimet dhe nuk do të ketë kosto shtesë.

Sipas mediave italiane, përpara mbledhjes së kabinetit të planifikuar për në 28 mars, qeveria po punon për një “dekret të ri për Shqipërinë”, që do të autorizonte përdorimin e qendrave si ambiente riatdhesimi. Megjithatë, kjo do të kërkonte ndryshimin e marrëveshjeve ekzistuese me Shqipërinë.

Piantedosi më vonë e zbuti deklaratën, duke shpjeguar se qendrat e emigracionit në Shqipëri "nuk mund të bëhen ambiente riatdhesimi, sepse ekziston tashmë një e tillë brenda një objekti me shumë qëllime. Na duhet vetëm ta aktivizojmë atë sa më shpejt të jetë e mundur, duke marrë parasysh nevojën për të rikuperuar hapësirat e disponueshme në të gjithë territorin kombëtar”. Ai u shpreh se "kjo nuk do të ndryshojë funksionin e saj origjinal".

Përfaqësuesit e Partisë Demokratikë në Itali kritikuan planin. Sipas tyre, "protokolli lejon që vetëm një pjesë e vogël e qendrave shqiptare të përdoren si ambiente riatdhesimi, kështu që konvertimi i tyre do të kërkonte rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe ndryshimin e ligjit. Të pretendosh se ky konvertim nuk do të kishte kosto shtesë është qesharake", u shprehën ata.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat