Shqipëria Postuar më 12 Janar 2026, 10:18

Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset - ARRSH: Në zonat malore duhen goma dimërore

Nga Ernilda Luzi

Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset - ARRSH:

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se gjatë orëve të natës nuk janë regjistruar reshje shiu, apo dëbore. Kushtet atmosferike janë të qëndrueshme, megjithatë temperaturat kanë shënuar vlera tepër të ulëta, sidomos në zonat malore dhe verilindore të Shqipërisë.

Sipas ARRSH, temperaturat kanë zbritur deri në -18 gradë celsius në Valbonë, -15 gradë në Kukës, -10 gradë në Dibër, si dhe -15 gradë celsius në Qafë Thanë, duke krijuar kushte për ngrica, veçanërisht gjatë orëve të para të mëngjesit.

Ndërkohë, qarkullimi rrugor ka vijuar normalisht në të gjitha akset rrugore, pa problematika. Kontaktorët janë në terren pa ndërprerje, të cilët kanë kryer pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës, për të evituar ngricat, me qëllim parandalimin e rrëshqitjeve dhe rritjen e sigurisë për përdoruesit e rrugës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjetit, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e motit. Po ashtu, rekomandohet që mjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht për ata që udhëtojnë drejt zonave malore apo akseve ku ka prezencë dëbore dhe rrezik për ngrica.

Autoritetet mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të informohen rregullisht për kushtet e qarkullimit përpara nisjes së udhëtimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat