Shqipëria Postuar më 23 Gusht 2025, 10:47

Pushimet sollën “boom” sigurimi me Karton Jeshil - AMF: Rritje me 13% e primeve nga udhëtimet me makinë jashtë

Nga Ledina Elezi

Pushimet sollën “boom” sigurimi me Karton Jeshil - AMF: Rritje

Gjatë muajve të verës, janë të shumtë shqiptarët që zgjedhin t'i kalojnë pushimet e tyre jashtë vendit. Sidomos në shtetet fqinje, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Greqia, por me raste edhe në vende më të largëta të Evropës, mjeti kryesor me të cilin udhëtojnë është makina. Por, sa e kanë siguruar ata makinën e tyre kur kanë lëvizur jashtë?

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e konfirmojnë këtë trend gjatë verës, pasi sigurimi me Karton Jeshil rezulton të ketë pësuar një rritje të konsiderueshme.

Sigurimi me karton jeshil për të gjitha automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit, ka pësuar një rritje me 13% të vëllimit të primeve të shkruara bruto nga janari deri në korrik të këtij viti, duke e çuar vlerën totale në 1.2 miliardë lekë. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 7.7% llogaritur me janar-korrik 2024.

Përveç shqiptarëve të cilët i kalojnë pushimet jashtë, është i madh edhe numri i të huajve që zgjedhin t'i kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Por pavarësisht këtij fakti, sigurimi kufitar për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë, ka pësuar një rritje të primeve, por një ulje të kontratave. Vëllimi i primeve të shkruara bruto pësoi një rritje me 1.3% krahasuar me 7 muajt e parë të 2024, ndërsa numri i kontratave është ulur me 0.1%.

Prej 1 shkurtit të këtij viti, të gjithë makinat që udhëtojnë drejt Malit të Zi, përfituan zbritje të çmimit të sigurimit për “Karton Jeshil”. Nga 400€ që ishte primi për 1 vit, tani ata paguajnë vetëm 50€. Ndërkohë, nga 1 prilli, qytetarët shqiptarë fituan edhe mundësinë që të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar 50 Euro.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat