Shqipëria Postuar më 14 Shkurt 2025, 11:55

Pus i ri për gaz natyror në Povelçë të Fierit- Kërkohet riaktivizimi edhe i 3 puseve ekzistues, EDG: Ka potencial të pashfrytëzuar

Nga Ola Mitre

Pus i ri për gaz natyror në Povelçë të Fierit-

Kompania EDG Natural Gas synon riaktivizimin e aktivitetit të prodhimit të gazit natyror në Povelçë të Fierit. Shoqëria ka aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për t’u pajisur me lejen mjedisore, si parakusht për ushtrimin e këtij aktiviteti, teksa ka dhënë detaje mbi projektin që parashikon të zbatojë. Në dokumentet e dorëzuar në AKM, kompania shpjegon se është palë me Albpetrol në Marrëveshjen Hidrokarbure “Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Povelçë” dhe në bazë të dispozitave që rrjedhin nga kjo marrëveshje ka marrë në dorëzim 3 puse ekzistues: Povelçë 1/b, Povelçë 9 dhe Povelçë 13, të cilët ndodhen në vendburimin e Povelçës.

“Këta puse, hapja e të cilëve daton që nga mesi i viteve ’80, janë shfrytëzuar në periudha të ndryshme dhe aktualisht janë në gjendje të mbyllur”, - thuhet ndër të tjera në dokument.

Po ashtu, bëhet me dije se projekti konsiston në rehabilitimin e puseve ekzistuese të marrë në dorëzim dhe shpimin e një pusi të ri vlerësues të emërtuar Povelçë -32b (Pov-32/b) në pjesën veriore të vendburimit, ku janë kryer shpime të kufizuara të cilat kanë treguar potencial të pashfrytëzuar. “I projektuar 340m në lindje të pusit Pov-32, i cili ka dhënë shenja gazi apo debite jo komerciale gazi, qëllimi kryesor i këtij shpimi do të jetë verifikimi i formacioneve të reja ranore gazmbajtëse ose shtrirjen e shtresave të kapura me pusin Pov-32 në kushte më të mira gjeologo-strukturore. Thellësia e parashikuar e shpimit të ri është rreth 2400m, përafërsisht e njëjtë me atë të puseve ekzistues”, - bën me dije kompania EDG.

Më tej projekti parashikon vlerësimin e rezervave ekonomike dhe kalimin në fazën e prodhimit, duke specifikuar se të gjitha operacionet e planifikuara në vendburimin e Povelçës kanë si qëllim të prodhojnë gaz natyror, i cili mbas përpunimit apo pastrimit në vendburim do të hidhet në treg.

Referuar të dhënave zyrtare të Albpetrol, vendburimi Povelçë ka qenë ndër më të rëndësishmit nga pesë fusha në total të identifikuara për shfrytëzim gazi në vend. Sipas një vlerësimi të kryer vetëm pak vite më parë nga kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës, rezervat origjinale te gazit ne vendburimin e Povelçës kanë qenë rreth 298 milion Nm3 gaz, nga të cilat janë nxjerrë deri tani rreth 271 milion Nm3 gaz. Gjithashtu, është provuar që gazi natyror i vendburimit Povelçë është mbi 96-98% metan dhe pa prezencë të sulfurit të hidrogjenit, H2S.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat