Shqipëria Postuar më 23 Gusht 2025, 11:57

Punonjësit e tenderëve, certifikim të detyrueshëm - APP: Synohet rritja e profesionalizmit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike

Nga Ola Mitre

Punonjësit e tenderëve, certifikim të detyrueshëm - APP:

Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar nisjen e procesit të trajnimit, testimit dhe certifikimit të punonjësve të përfshirë në prokurimet publike, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).

Sipas APP-së, pjesëmarrja në këtë proces është e detyrueshme për personat përgjegjës për prokurimin dhe punonjësit e strukturave të dedikuara, në përputhje me standardet e reja të miratuara nga qeveria.

Procedurat specifike janë përcaktuar në një udhëzim të përbashkët mes DAP, APP dhe ASPA të nënshkruar në dhjetor të vitit 2024. Ndër të tjera udhëzimi specifikon se kurrikulat e trajnimit do të zgjatin 40 orë, ndërsa do organizohen në 4 nivele njohurish: Niveli bazë, mesatar, i avancuar dhe niveli ekspert. Për t’u certifikuar në nivelin bazë, pjesëmarrësit duhet të sigurojnë të paktën 50 pikë, nga 100 që është maksimalja. Testimet do të organizohen nga ASPA, ndërsa në rast se pjesëmarrësit nuk e kalojnë nivelin bazë, ata do të kenë mundësi të ndjekin përsëri trajnimin dhe të ripërsërisin testimin.

Agjencia e Prokurimit Publik thekson se moscertifikimi brenda afatit të përcaktuar mund të sjellë pasoja, përfshirë moslejimin e ushtrimit të së drejtës për të qenë në cilësinë e personit përgjegjës apo pjesë e strukturave të dedikuara në fushën e prokurimit publik.  

Sipas APP ky proces synon rritjen e profesionalizmit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat