Shqipëria Postuar më 29 Janar 2026, 11:10

Punimet për trenin Tiranë-Durrës-Rinas/ Rritet fondi për shpronësimet, një hap drejt finalizimit të punimeve

Nga Ola Mitre

Punimet për trenin Tiranë-Durrës-Rinas/ Rritet fondi për

Qeveria ka shtuar fondin e shpronësimit të pronarëve që preken nga projekti për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Durrës – Rinas, duke i hapur rrugë përfundimit të punimeve. Sipas vendimit vlera e përgjithshme e shpronësimit shkon në rreth 377.32 mln lekë, nga 280.44 mln lekë që ishte përcaktuar në vitin 2024. Lloji i pasurive që preken është “arë”, “truall” dhe “vreshtë”. Shpronësimet lidhen kryesisht me gjurmën e re, drejt aeroportit të Rinasit, pasi pjesa e tjetër e projektit përshkon linjën ekzistuese. Ndërkohë që, shpesh herë kthehen në pengesë për avancimin e punimeve. 

Ndërkaq, referuar afateve të fundit të bëra publike nga autoritetet, ndërtimi i kësaj linje hekurudhore përfundon këtë vit, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3 - mujorin e parë 2027.

Aktualisht, për përfundimin e kësaj linje janë duke u zbatuar 2 kontrata, një për ndërtimin e linjës dhe një për stacionet. Për kontratën e parë, që përfshin punimet civile dhe sinjalizim - telekomunikacionin, sipas Hekurudha Shqiptare janë realizuar mbi 90% e punimeve dhe kanë mbetur për t’u finalizuar instalimet e brendshme në lidhje me sistemet e sinjalizim – telekomunikacionit, që lidhen ngushtë me ecurinë e punimeve të godinave të stacioneve. Përsa i përket këtyre të fundit, aktualisht janë kryer mbi 25% e punimeve, ndërsa finalizimi i tyre pritet në maj të vitit 2026. Paralelisht, për këtë vepër hekurudhore është duke u zhvilluar tenderi me 2 faza për elektrifikimin, një procedurë që drejtohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkaq, rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë do të kushtojë 1.8 mld lekë, por procedura tenderuese nuk është zhvilluar ende. Ky segment ka një gjatësi prej 4 km dhe nis nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe përfundon aty ku ka qenë stacioni trenit në kryeqytet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat