Shqipëria Postuar më 29 Maj 2026, 12:12

Punimet për autostradën Tiranë-Durrës/ Preken nga zgjerimi, miratohen 25.1 mln lekë shpronësime

Nga Ola Mitre

Punimet për autostradën Tiranë-Durrës/ Preken nga zgjerimi,

Qeveria ka miratuar një vendim të ri për shpronësimin e pronarëve të pasurive që preken nga zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës, në kuadër të fazave I dhe II të projektit. Sipas vendimit, do të shpronësohen pasuri të llojit truall dhe ndërtesë, me një vlerë të përgjithshme kompensimi prej rreth 25.1 mln lekësh.

Vendimi vjen në një kohë kur vijojnë punimet për zgjerimin e një prej akseve më të rëndësishme rrugore të vendit. Aktualisht janë hapur për qarkullimin e automjeteve 6 kilometrat e para të segmentit të zgjeruar, ndërsa puna vijon në fazën e tretë të projektit, e cila përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me autostradën.

Paralelisht me punimet civile, ARRSH ka hapur edhe tenderin për plotësimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të autostradës nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, me një fond limit prej rreth 1.3 mld lekësh. Projekti parashikon ndërhyrje për gjelbërimin, ndriçimin dhe përmirësimin e sigurisë rrugore përgjatë segmentit të zgjeruar.

Sipas dokumenteve të tenderit, do të realizohen mbjellje të reja pemësh dhe shkurresh dekorative, sistem i automatizuar ujitjeje, si dhe vendosja e ndriçuesve LED përgjatë aksit. Gjithashtu, projekti përfshin veshjen e mureve të nënkalimeve dhe rehabilitimin e shtresave asfaltike në segmentet e amortizuara.

Zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa pak ditë më parë u bë me dije se qëllimi është avancimi i zgjerimit, deri në afërsi të Vorës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat