Shqipëria Postuar më 23 Tetor 2025, 12:53

Pse pensionistët e qytetit po shtohen dhe të fshatit po tkurren? - Faktorët/ Nga migrimi i brendshëm, tek infomaliteti në tregun e punës

Nga Elisabeta Dosku

Pse pensionistët e qytetit po shtohen dhe të fshatit po tkurren? -

Qendrat urbane kanë një numër shumë më të lartë dhe në rritje të pensionistëve, ndërsa tërësisht e kundërta është duke ndodhur me fshatrat, ku numri i të moshuarve që përfitojnë pension rural po bie me ritme të larta, duke arritur nivelin më të ulët historik në vitin 2024.  Në harkun kohor të 5 viteve, nga vitit 2020 deri në 2024, numri i pensioneve urbane të pleqërisë është rritur me  84.842 përfitues, ndërsa numri i pensioneve rurale ka rënë me 24.187 përfitues.

Por cilat janë arsyet? Sipas ekspertëve, një ndër arsyet thelbësor është migrimi i brendshëm nga fshati në qytet. Dhe këtu bëhet fjalë që nga vitet ’90 e në vazhdim,  ku një pjesë shumë e madhe e popullsisë shqiptare është shpërngulur nga zonat rurale drejt qyteteve (Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, etj.). Këta njerëz janë punësuar dhe siguruar në qytet dhe për këtë arsye, kur kanë dalë në pension, llogariten si pensionistë urbanë. Në të kundërt, popullsia rurale është tkurrur, sepse shumë banorë janë larguar ose nuk kanë qenë të siguruar fare.

Në këtë pikë rezulton se ka më shumë pensionistë në qytet sepse u rrit numri i banorëve të siguruar aty dhe më  pak pensionistë në fshat sepse u ul popullsia aktive dhe kontribuuese ruralë.

Një tjetër faktor është ekonomia informale. Nëse në zonat urbane, punësimi formal, përmes të cilit deklarohen dhe paguhen sigurime shoqërore është shumë më i lartë, në zonat rurale, për dekada me radhë, punësimi në bujqësi ka qenë informal ose me kontribute minimale. Kjo do të thotë se shumë persona që kanë punuar në fshat nuk plotësojnë kushtet ligjore për pension, prandaj nuk hyjnë fare në statistikat e pensionistëve.  Qeveria po tenton ta ndryshojë këtë fenomen përmes nxitjes së fermerëve për tu formalizuar si një kusht për të përfituar nga skemat e subvencioneve në bujqësi, çka në të ardhmen mund të sjellë rritje të numrit të pensionistëve në fshat.

Braktisja e fshatrave nga të rinjtë është një tjetër faktor që ndikon drejtpërdrejt në skemë dhe në përfitimin e pensioneve në të ardhmen.  Shumë të rinj nga fshatrat kanë emigruar jashtë vendit apo në zonat urbane, duke lënë pas një popullsi rurale gjithnjë e më të plakur. Si rezultat, nuk ka më mjaft kontribuues në zonat rurale që të krijojnë pensione të reja. Shumë të moshuar që jetonin në fshat kanë ndërruar jetë, ndërsa brezat e rinj nuk po hyjnë në skemën e pensioneve rurale. Kjo bën që numri i pensionistëve ruralë të bjerë çdo vit, sepse nuk po zëvendësohen nga brezi pasardhës.

Harta e re administrativo- territoriale ka sjellë dhe një konfigurim të numrit të pensionistëve.  Shumë zona që më parë quheshin rurale, pas reformës territoriale të vitit 2025 janë administrativisht në zona urbane. Kjo ndryshon përkufizimin statistikor: shumë pensionistë që më parë numëroheshin “ruralë” tani figurojnë si “urbanë”, edhe pse niveli i pensionit që marrin mund të jetë i ulët. 

Nga ana tjetër shërbimet më të mira në qendrat urbane dhe aksesi në shëndetësi, medikamente dhe kujdes social,  bën që jetëgjatësia jetë më e lartë në qytete çka ndikon edhe në numrin më të lartë të pensionistëve përfitues.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat