Shqipëria Postuar më 13 Maj 2025, 14:11

PS drejt mandatit të katërt me 82 deputetë - Numërohen 96% e kutive brenda vendit, mbyllen zyrtarisht 6 qarqe

Nga Ola Mitre

PS drejt mandatit të katërt me 82 deputetë - Numërohen 96% e

Partia Socialiste po shkon drejt mandatit të katërt qeverisës, me rreth 52% të votave dhe 82 mandate të sigurar në rang vendi nga votat e numëruara deri në orën 14:00 të së martës, ndërsa PD-ASHM renditet forcë e dytë me 34.47% të votave që i japin kësaj partie 52 mandate. Kur janë numëruar 96% e kutive të votimit brenda vendit, votat e grumbulluara i sigurojnë 3 mandate Partisë Socialdemokrate dhe nga 1 mandat koalicionit Nisma - Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Mundësia.

Deri në orën 14:00 përfundoi plotësisht numërini i votave brenda vendit në 6 qarqe e më konkretisht në Berat, Dibër, Korçë, Kukës, Lezhë dhe Vlorë.

Në Qarkun e Beratit, PS ka marrë 57.64% të votave, duke siguruar 5 mandate, ndërsa PD-ASHM 2 mandate me 30.47% të votave. Në raport me zgjedhjet e vitit 2021 ky qark ka ruajtur një ndarje të njëjtë mandatesh mes këtyre 2 forcave politike.

Edhe në Qarkun Dibër forcë e parë është renditur PS, me 56.19% të votave, duke siguruar 3 mandate, ndërsa PD-ASHM ka marrë 2 mandate me 38.09% të votave. Rezultatet tregojnë një përmbysje të raportit të mandateve mes 2 forcave politike, pasi në këtë qark PD-ASHM mbante 3 mandate dhe PS 2.

Një tjetër qark ku ka përfunduar numërimi i votave brenda vendit është Korça, ku PS ka siguruar 6 mandate me 54.33% të votave, ndërsa PD-ASHM 4 mandate me 34.57% të votave. Kjo tregon se PS ka ruajtur numrin e mandateve të deritanishme, ndërkohë që 1 mandat që iu hoq këtij qarku për shkak të uljes së numrit të popullsisë, është “marrë” nga PD-ASHM.

Në Qarkun Kukës PD-ASHM ka marrë 2 mandate me 52.95% të votave dhe PS 1 mandat me 30.68% të votave, njëjtë si zgjedhjet e mëparshme.

Edhe në Lezhë kryeson PD-ASHM me 45.13% dhe 4 mandate, ndërsa PS ka 3 mandate me 42.23 % të votave të numëruara, duke ruajtur të njëjtin raport me zgjedhjet e vitit 2021.  

Fitore e PS është regjistruar edhe në Qarkun e Vlorës, me 58.72% të votave dhe 8 mandate, ndërsa PD-ASHM ka marrë 26.62% të votave, që përkthehen në 4 mandate, një ndarje e njëtjë me zgjedhjet e mëparshme.

Ndërkohë, në qarqet Tiranë, Fier, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe Durrës mbeten dhe pak kuti për të finalizuar leximin e votave brenda vendit.

Deri në përditësimin e orës 14:00, leximi i votës në Tiranë flet për 19 mandate për PS dhe 14 mandate për PD-ASHM, ndërsa nga 1 mandat kanë fituar PSD, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Mundësia.

Në Fier, nga vota e numëruar PS ka 12 mandate, ndërsa PD 4 mandate, çka tregon një rritje me 3 mandate për PS në krahasim me zgjedhjet e 2021.

Në Shkodër kryeson PD me 5 mandate, PS me 4 mandate, ndërsa PSD numëron 2 mandate. Në Durrës PS ka 8 mandate, ndërsa PD 6 mandate, pa ndryshim në raport me vitin 2021. Në Elbasan ka një rritje të ndjeshme të PS që ka 10 mandate, nga 8 që kishte aktualisht, ndërsa PD 4 mandate, nga 6 që kishte në zgjedhjet 2021. Ndërkohë në Gjirokastër, PS ka 3 mandate dhe PD-ASHM, 1 mandat. 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat