Shqipëria Postuar më 28 Nëntor 2024, 10:24

Pronësia mbi tokën/ 3 mln kartela, në proces digjitalizimi - Dokumenti, afati deri në Qershor 2026. Zgjidhen mbivendosjet

Nga Elisabeta Dosku

Pronësia mbi tokën/ 3 mln kartela, në proces digjitalizimi -

Mosmarrëveshjet për tokën, pretendimet për mbivendosje dhe infrastruktura e pamjaftueshme, paraqesin sfida të vazhdueshme për menaxhimin efektiv të tokës,  tërheqjen e investimeve, nxitjen e rritjes ekonomike.

Qeveria ka marrë angazhimin për të adresuar këto sfida, dhe miratimi i një Udhërrëfyesi gjithëpërfshirës për të  siguruar planifikimin e politikës së digjitalizimit dhe  proceseve përkatëse për kadastrën është një hap që do të rrisë transparencën dhe do të lehtësojë shërbimet shtetërore të kadastrës.

Referuar dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” në kuadër të instrumentit të BE “Faciliteti për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimore”, botuar në Fletoren Zyrtare,  territori i Shqipërisë është i ndarë në 3058 zona kadastrale, ku për 2763 zona kadastrale (ose 90% të  totalit të zonave kadastrale), procesi i regjistrimit fillestar ka përfunduar dhe për 295 zona kadastrale nuk  ka përfunduar ende.

Qeveria parashikon që 95% e numrit të total të zonave kadastrale të përfundojë  deri në qershor 2026, dhe përqindja e zonave kadastra të mbetura të papërfunduara deri atëherë do të jetë më pak se 5% .

Sipas dokumentit, për ato zona kadastrale, ku ka përfunduar regjistrimi fillestar, po bëhet digjitalizimi i kartelave të pronave dhe skanimi i titujve të pronësisë. Kjo konsiderohet e nevojshme, sepse një pjesë  e konsiderueshme e dokumentacionit për këto zona kadastrale është përgatitur manualisht dhe titujt e  pronësisë depozitohen fizikisht në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Referuar dokumentit, regjistrimi fillestar në Republikën e Shqipërisë ka filluar në vitin 1994, ka gjithsej 4,076,000 kartela, dhe në bazën e të dhënave të ASHK-së deri më 31 maj 2024 janë  përfshirë 2,703,935 kartela digjitale,  por nga ky numër, vetëm 1 milionë kartela digjitale (24%) janë plotësisht të digjitalizuara, dhe numri i mbetur prej  rreth 1,7 milionë kartelash (42%) do  të ridigjitalizohen, sepse  gjatë viteve janë bërë transaksione të reja manuale, por nuk janë pasqyruar në këto kartela ekzistuese të digjitalizuara.

Nevojitet gjithashtu digjitalizimi i 1,372,065 kartelave shtesë (34%),  të cilat ende nuk i janë nënshtruar procesit  të digjitalizimit. Prandaj, janë gjithsej 3,076,000 kartela (76%), të cilat pritet të përfundojnë në deri në Qershor 2026.

Qëllimi kryesor është të arrihet reduktimi i vonesave kohore të shërbimeve kadastrale, rritja e efikasitetit, ofrimi i shërbimeve nga Agjencia e Kadastrës, duke marrë masa kundër korrupsionit dhe mitëmarrjes.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat