Shqipëria Postuar më 24 Shtator 2025, 14:33

Pronat po shiten 41.7% më shtrenjtë se në 2024/ BSH: Një apartament u ble më shpejt në bregdet se në Tiranë. Edhe qiratë, në rritje

Nga Ledina Elezi

Pronat po shiten 41.7% më shtrenjtë se në 2024/ BSH: Një

Në gjysmën e parë të këtij viti, pronat janë shitur 41.7% më shtrenjtë se në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi u rrit me 14.6% në terma gjashtëmujorë, dhe me 41.7% ndaj një viti më parë.

Rritja e çmimeve në zonën e Tiranës ka qenë shumë e fortë.

Në shumicën e rasteve, çmimi i blerjes së pronës ka qenë i njëjtë ose deri në 5% më i ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi dhe kjo nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar.

Por sa kohë i është dashur në prone që të shitet?

Një pronë është shitur më me vështirësi në Tiranë se në zonat bregdetare. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi u rrit në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u rrit ndjeshëm në 11.1, nga 7.1 muaj.

Nga ana tjetër, koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare ra në 8.7, nga 10 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte pak më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke u rritur në 12.8, nga 11.6 muaj.

Edhe çmimet e qirave rezultojnë me rritje, sipas raportimeve nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, 58% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 62% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë blerë më pak banesa nga shtetasit e huaj. Kështu, rreth 15% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidëntë krahasuar me 18% për gjashtëmujorin e mëparshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat