Shqipëria Postuar më 18 Shkurt 2025, 12:54

Pronat, nis saktësimi i të dhënave kadastrale - Marrëveshja mes Kadastrës dhe Shoqatës së Gjeodetëve do zgjidhë keqvendosjen e pronave

Nga Ada Hazizolli

Pronat, nis saktësimi i të dhënave kadastrale - Marrëveshja

Agjencia e Kadastrës në bashkëpunim me Shoqatën e Gjeodetëve do të kryejë matjet në terren, me qëllim saktësimin e të dhënave kadastrale. Përmes një marrëveshje 1-vjeçare, palët bien dakord që të bashkëpunojnë në përmirësimin e informacionit gjeografik, që do të sjellë veç të tjerash edhe përshpejtim të procesit të regjistrimit të pronave.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të përcaktojë mënyrën e bashkëpunimit midis palëve, të gjetjes dhe aplikimit të procedurave dhe metodologjive të thjeshtezuara që do të zbatohen në funksion të zhvillimit me efektiv të veprimtarisë kadastrale në drejtim të procesit të përmirësimit të të dhënave, për krijimin e kushteve më të mira në drejtim të ofrimit të shërbimeve kadastrale.Palët do të bashkëpunojnë e bashkërendojnë veprimet midis tyre për realizimin e procesit të përmirësimit të të dhënave kadastrale në një zonë kadastrale pilot”, thuhet në marrëveshje.

Është një problematikë e pranishme jo pak, ajo e mospëputhjes së të dhënave ndërmjet atyre që janë në regjistrat e Kadastrës me ato që rezultojnë në terren, duke shkaktuar keqvendosje. Kjo ka bërë që qytetarët, apo palët e përfshira t’i drejtohen gjykatës.

Një gjë e tillë nuk rezulton vetëm në ato zona, ku procesi nuk ka nisur asnjëherë, por edhe në blloqe kadastrale ku matjet janë kryer. Kjo pasi, në pjesën dërrmuese ka pasaktësi të cilat synohen që të korrigjohen, për të prodhuar të dhëna të plota kadastrale. 

Por a i cenon titujt e pronësisë të dhënë ndër vite marrëveshja për përmirësimin e informacionit gjeografik?

Përfaqësues nga shoqata e Gjeodetëve thonë se synimi është që të pasqyrohet informacion i saktë për çdo pronë në terren, për të zgjidhur në këtë mënyrë keqvendosjen e tyre. Detajimi dhe konfigurimi në regjistrat kadastralë jo vetëm për ndërtimet informale por edhe për tokat bujqësore të ndara me ligjin 7501, do të shuaj proceset gjyqësor. Ndërsa në rastet kur evidentohen apo identifikohen raste abuzive, ndaj tyre do të ndiqet rruga ligjore.

Mbi bazën e kësaj marrëveshje, gjeodetët e licencuar do të asistojnë Kadastrën për përpunimin e informacionit të nevojshëm të  pasurive të paluajtshme  dhe do të bëjnë vlerësimin e e cilësisë së të dhënave dhe raportet e problemeve që ekzistojnë. “Në përfundim të këtij procesi, përgatitet një raport mbi metodologjinë e përdorur dhe rekomandimet përkatëse për ndryshimet e akteve ligjore”, thuhet më tej në marrëveshje.

Sa iu takon tarifave që aplikohen për matjet në terren ato do të mbulohen nga vetë qytetarët, pas dorëzimit të kërkesës pranë institucionit të Kadastrës.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat