Shqipëria Postuar më 2 Prill 2026, 13:09

“Prona shtetërore gjeneron të ardhura për buxhetin” - Ibrahimaj: Korporata e Investimeve, bazuar tek praktikat më të mira europiane

Nga Fabjona Pasho

“Prona shtetërore gjeneron të ardhura për buxhetin” -

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë një interpelance në Kuvend kërkuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku iu përgjigj pyetjeve lidhur me Korporatën Shqiptare të Investimeve.

Ibrahimaj u shpreh se kjo Korporatë është bazuar tek praktikat më të mira europiane dhe i sjell shtetit të ardhura.

“Qëllimi i saj është të jetë në shërbim të sipërmarrësve dhe të krijojë një model që tashmë funksionon në Europë, ku të gjitha asetet publike shfrytëzohen në mënyrë më të mirë dhe më të qëndrueshme për gjenerimin e të ardhurave për shtetin. Korporata është subjekt i monitorimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe në veprimtarinë e saj ka pasur kontroll të performancës çdo vit që nga krijimi. Detyrat e lëna nga KLSH janë adresuar dhe realizuar me përkushtim. Me Korporatën e Investimeve, shteti nuk është më një menaxher pasiv, por aktiv. Nëse deri në atë moment prona shitej me çmim reference, tanimë shteti sillet si sipërmarrës. Është një model ku prona shtetërore përdoret për të gjeneruar investime dhe për të rritur vlerën  e pronës shtetërore”, tha Ibrahimaj.

Më tej, ministrja dha shifra mbi projektet e zhvilluara nga korporata e investimeve.

“Merr një pronë që është aset i degraduar, në partneritet me privatin e zhvillon, shteti përfiton përshembull një stadium të ri dhe modern, një parkim të madh nëntokësor dhe sipërfaqe për zyra. Pra jep 15 mijë m2 dhe merr në këmbim një stadium me 14 mijë vende, para dhe godina me vlerë 40 mln euro. Në total, Korporata ka dhënë në dispozicion, nëpërmjet autorizimeve të qeverisë rreth 100 mijë m2 tokë, që po të shiteshin nga ana e shtetit, do të siguronin 28 milion euro. Nëpërmjet Korporatës, mundësojnë financim të plotë të projekteve publike, tashmë të negociuara me partnerin privat, në një vlerë 420 mln euro, si dhe 44 milion euro kontribut për Korporatën”, u shpreh Ibrahimaj.

Korporata Shqiptare e Investimeve u krijua në vitin 2019 dhe ka më shumë se 6 vite që funksion.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat