Shqipëria Postuar më 11 Maj 2026, 13:18

Prokurimet me IA, qeveria nis projektin për sistemin e ri - Rama: Shqipëria me tregues më pozitivë se mesatarja e BE për ofertuesit

Nga Fabjona Pasho

Prokurimet me IA, qeveria nis projektin për sistemin e ri - Rama:

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po punohet për ngritjen e një sistemi të ri për prokurimet publike, i cili do të bazohet në inteligjencën artificiale dhe do të ndërtohet sipas parimeve më të larta të transparencës të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare.

Gjatë një conference për shtyp, kreu I qeverisë tha se çdo njoftim do të publikohet në formatin elektronik të Bashkimit Europian dhe njëkohësisht në platformën qendrore europiane.

“Sistemi është planifikuar të ndërtohet me parimet më të larta të transparencës të shkruara nga institucionet dhe organizata ndërkombëtare. Të gjitha publikimet do të mbështeten në format elektronike të BE-së dhe çdo njoftim do të publikohet njëkohësisht edhe në platformën qendrore europiane Tender European Daily. Do të jemi në një fazë tjetër dhe brenda këtij mandati për Shqipërinë në BE në vitin 2030. Ky projekt nuk është thjesht një projekt teknologjik, por një manifest i vullnetit tonë kombëtar për një Shqipëri shtet. Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në një epokë tjetër të bërjes biznes. Është një përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim në Shqipëri i gjithë asaj që teknologjia u jep vendeve që përmes teknologjisë kanë shanse të papara në historinë e njerëzimit për të bërë kapërcime që pa teknologjinë do të ishin të pamundura. Do të prezantojmë planin tonë të detajuar në javët në vijim, pasi do të nisim nga rekrutimi i specialistëve të teknologjisë digjitale për këtë projekt dhe jo vetëm”, u shpreh Kryeministri.

Ndër të tjera, kryeministri tha se raporti i Gjykatës Europiane të Llogarive evidenton problematika të konkurrencës në prokurimet publike edhe në vendet e BE-së, ndërsa theksoi se Shqipëria paraqitet me disa tregues më pozitivë se mesatarja europiane për sa i përket kontratave me një ofertues të vetëm dhe numrit mesatar të ofertuesve për procedurë.

“Raporti flet për një nivel konkurrence për kontrata publike në rënie gjatë viteve të fundit, flet për një mungesë ndërgjegjësimi, lidhur me faktin që konkurrenca është një parakusht kyç për vlerën e parasë në prokurimet publike, flet për treguesit kyç për matjen e konkurrencës që mbeten të pakënaqshme në shumicën e shteteve anëtare; flet për mbi 40% të garave të bëra me vetëm një ofertues, për një periudhë 10- vjeçare; flet për një mungesë konkurrence që ndikon në çmimet dhe në kostot dhe për një kohëzgjatje mesatare të procedurave të prokurimit të rritur me rreth 50%. Ndërkohë që, shkalla e publikimit dhe pjesëmarrja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbeten në nivele të pakënaqshme. Këto janë vetëm disa nga konkluzionet e raportit të Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE.

Ndërkohë që nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë, në indikatorët thelbësore që përcakton BE, konkurrueshmëria dhe po të shohim në tabelën e konkurrueshmërisë, pozicionin e vendit tonë, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm përbëjnë 32.3% të kontratave në vendet e Bashkimit Europian, për Shqipërinë ato janë në masën 23.5% dhe nëse në pasqyrën e përgjithshme te shteteve anëtare, janë një grup i madh vendesh që fillojnë nga 57.4% e zbresin deri në 35.8%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia, 22.9%; Gjermania 22.6%; Finlanda 20.3%; Franca 20% dhe vendi ynë është mbi këto me shumë pak, pra 23.5%.

Edhe në numrin e ofertuesve për procedurë, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues për procedurë në mesataren e BE, Shqipëria është 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve për punë publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë patur vetëm një ofertues, është saktësisht 12% ndërkohë që në raportin e Gjykatës Europiane, përcaktohet se mesatarja e vendeve të BE, është 14%”, tha Rama.

Ndërkaq, negociatorja për kapitullin 5, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, solli një krahasim midis Shqipërisë dhe vendeve të BE, ndërsatheksoi selidhur me këtë kapitull, Shqipëria nuk ka piketa të ndërmjetme, por vetëm objektivat e mbylljes, duke e cilësuar këtë si një element pozitiv.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat