Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 11:49

Projektligji “Për Financimin e Partive Politike” - Komisioni i Venecias e vlerëson pozitivisht dhe sugjeron disa rregullime

Nga Fabjona Pasho

Projektligji “Për Financimin e Partive Politike” - Komisioni i

Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Ekspertët e Këshillit të Europës e vlerësojnë projektligjin si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kuadrit ligjor për financimin politik, rritjes së transparencës dhe forcimit të kontrollit mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive. Megjithatë, Komisioni i Venecias evidenton gjashtë rekomandime kryesore që, sipas tij, duhet të reflektohen në draft. Sipas opinionit, duhet të ketë më shumë kontroll ndaj donacioneve të huaja dhe fuqizim të rolit të KQZ-së në mbikëqyrje.

Sipas Komisionit të Venecias, duhet të sigurohet që rregullat që lidhen me financimin e zakonshëm të partive politike dhe ato që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore të harmonizohen dhe të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

“Të parashikohen rregullime më të sakta dhe më të detajuara në vetë projektligjin, duke lënë për aktet nënligjore vetëm aspektet teknike, si dhe të garantohet që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të qarta, objektive dhe të parashikueshme”, theksohet në opinion.

Gjithashtu, duhet të rregullohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse financimi i fshehtë dhe financimi indirekt përmes palëve të treta, si dhe përmes entiteteve të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike, si dhe të përcaktohet qartë në ligj që raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar dhe të ndarë sipas disa kategorive.

Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson se duhet të merret në konsideratë raportimi më i shpeshtë financiar, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore, si dhe të forcohet mbikëqyrja e financimit të partive politike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat