Shqipëria Postuar më 3 Tetor 2025, 09:50

Projektligj i ri për armët e zjarrit - AKSHE, rol qendror në licencim dhe kontroll. Gjoba të rënda për shkelësit

Nga Ledina Elezi

Projektligj i ri për armët e zjarrit - AKSHE, rol qendror në

Shqipëria po bën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe kontrollit të tregtisë ndërkombëtare të armëve. Qeveria ka prezantuar një projektligj të ri për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, komponentëve kryesorë dhe municioneve, i cili synon të harmonizojë kuadrin ligjor të vendit me standardet e Bashkimit Evropian dhe me Protokollin e Kombeve të Bashkuara për armët e zjarrit.

Sipas draftit, çdo lëvizje ndërkombëtare e armëve dhe municioneve do të kryhet vetëm me autorizim të posaçëm nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Autorizimet mund të jenë të vetme, të shumëfishta ose të përgjithshme, me një afat që shkon nga 1 deri në 3 vjet. 

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të detajuara për gjurmueshmërinë e çdo arme apo komponenti gjatë qarkullimit ndërkombëtar. AKSHE merr kompetencë të kryejë kontrolle pas dërgesës dhe të ndalojë eksportin në rast dyshimesh për trafikim të paligjshëm ose përdorim që cenon sigurinë publike dhe interesat kombëtare.

Një nga risi kryesore të këtij drafti janë lehtësirat administrative për subjekte që merren me tregti ose përdorim të përkohshëm të armëve. Sipas projektligjit, në rastet kur armët ose pjesët e tyre futen në vend për një periudhë të kufizuar, si për ekspozita, demonstrime tregtare, veprimtari sportive, stërvitje apo për riparime teknike, nuk do të kërkohet një autorizim i ri i plotë. Kjo nënkupton më pak burokraci dhe kosto më të ulëta për bizneset apo organizatat që operojnë në këto fusha, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë. Për më tepër, projektligji parashikon edhe përdorimin e një sistemi elektronik të licencimit, i cili redukton kontaktin fizik me administratën dhe rrit transparencën.

Në anën tjetër, projektligji është i rreptë për shkelësit. Masat ndëshkimore variojnë nga refuzimi i licencës, deri tek pezullimi dhe revokimi i autorizimit për import, eksport apo transit. Për rastet e trafikimit të paligjshëm apo shkeljeve të rënda të kushteve, parashikohen gjoba të kripura. Gjobat do të jenë të shkallëzuara, deri në 200 mijë lekë për shkelje procedurale, si mungesë dokumentacioni ose vonesa në raportim dhe mbi 2 milion lekë, shoqëruar me revokim licence dhe kallëzim penal, për rastet më të rënda, si trafikimi i paligjshëm i armëve dhe municioneve.

Kjo nismë është një hap i domosdoshëm për të rritur sigurinë kombëtare dhe rajonale, për të luftuar trafikimin e paligjshëm të armëve dhe për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat