Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2025, 12:43

Projekti i TEC-it në Roskovec - ERE kërkon dokumente dhe informacione shtesë nga kompania zhvilluese 

Nga Ola Mitre

Projekti i TEC-it në Roskovec - ERE kërkon dokumente dhe informacione

Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar një sërë dokumentesh dhe informacione shtesë nga kompania që do të ndërtojë termocentralin privat në Roskovec. Pak javë më parë ERE nisi procedurat për licencimin e kompanisë në veprimtarinë e prodhimit të energjisë, por shoqëria “Fier Thermoelectric” do të duhet të përmbushë kërkesat, për të finalizuar këtë proces.

Kështu, shoqëria duhet të depozitojë dokumentacionin që vërteton se ka siguruar mjetet e nevojshme financiare për realizimin e plotë të projektit të TEC-it.

Gjithashtu, do të duhet të bëjë saktësimet përkatëse për sa i përket numrit të njësive gjeneruese dhe datës së fillimit të operimit, si dhe të depozitojë marrëveshjen e nënshkruar me Operatorin e Sistemit të Transmetimit për miratimin përfundimtar të pikës së lidhjes.

Po ashtu, sipas Entit Rregullator rezulton se shoqëria disponon aktualisht një Deklaratë Mjedisore të vlefshme deri më 13.11.2025, por duke marrë në konsideratë se ka deklaruar se ndërtimi i TEC-it do të fillojë në vitin 2025 dhe duke qenë se nga shoqëria nuk është dhënë ndonjë informacion në lidhje me fillimin e zbatimit në terren të projektit, vlerësohet t’i kërkohet ky informacion në vijim.

Gjithashtu, shoqëria duhet të japë informacion në lidhje me nevojën ose jo të pajisjes së këtij TEC-i me leje të përdorimit të burimit ujor për të realizuar procesin e ftohjes.

Projekti për TEC-in e Roskovecit u miratua nga qeveria në dhjetor të vitit të kaluar, teksa impianti me kapacitet të parashikuar 170 MW, që do të përdorë gazin për prodhimin e energjisë elektrike do ketë një afat operimi 49 vjet.

Sipas vendimit të qeverisë, TEC-i do të duhet të jetë në operim pas 3 vitesh, teksa kjo periudhë përfshin pajisjen me leje ndërtimi dhe ndërtimin e tij. Ky projekt është kundërshtuar nga banorët e zonës, për shkak të afërsisë me tokat bujqësore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat