Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 14:27

Projekti/ Ballkone panoramike në 12 qarqet e Shqipërisë/ Hapet tenderi për ndërtimin e strukturave ekologjike me funksion turistik

Nga Hamit Yzeiraj

Projekti/ Ballkone panoramike në 12 qarqet e Shqipërisë/ Hapet

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka shpallur një procedurë tenderimi për hartimin e projektit të ri që synon ndërtimin e ballkoneve panoramike në zona të mbrojtura në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për një projekt kombëtar që do të përfshijë 12 qarqe, me qëllimin për të promovuar turizmin natyror, për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm lokal.

Tenderi është shpallur me një procedurë të hapur dhe të thjeshtuar, ndërsa fondi limit për shërbimin e hartimit të projektit teknik është përcaktuar në 6,5 milionë lekë.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata përfshin shërbime profesionale për studimin, përmirësimin dhe mirëmbajtjen e strukturave të lehta panoramike, që do të ngrihen në pika strategjike me vlera të larta natyrore dhe peizazhore, si në Kapinovë (Berat), Luginën e Lurës (Dibër), Divjakë–Karavasta (Fier), malin e Kallabakut (Kukës) dhe shumë të tjera. Afati për dorëzimin e ofertave është data 1 gusht 2025.

Projekti është konceptuar për t’u zbatuar me materiale ekologjike, ndikim minimal në mjedis dhe funksione edukative, vëzhgimi dhe promovimi.

Kjo nismë vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës turistike në zonat e mbrojtura dhe për të ndihmuar diversifikimin e ofertës turistike të Shqipërisë përtej vijës bregdetare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat