Shqipëria Postuar më 18 Shtator 2025, 10:37

Programi 2025-2029: Pagë minimale 500 euro, ajo mesatare 1000 euro, papunësia ulet në 6% deri në 2030

Nga Ledina Elezi

Programi 2025-2029: Pagë minimale 500 euro, ajo mesatare 1000 euro,

Treg pune konkurrues, gjithëpërfshirës dhe në linjë me standardet e BE-së, ku çdo qytetar shqiptar ka mundësi reale për punësim cilësor, paga të larta dhe zhvillim profesional të qëndrueshëm, është një ndër objektivat e tjerë të qeverisë Rama 4.

Deri në fund të 2025 synohet që paga minimale të arrijë në 500 euro, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta. Paga mesatare kombëtare do të arrijë 1,000  euro deri në 2030, ndërsa në sektorin publik 1,200 euro.

Paga e ushtarakëve, aktualisht më e larta në rajon, do vijojë të rritet dhe do të arrijë mesataren e NATO-s në vitin 2029. Nga ana tjetër, paga mesatare e mësuesve është dyfishuar, nga 420 euro në mbi 950 euro dhe parashikohet të arrijë 1,250 euro brenda vitit 2030.

Për sa i përket papunësisë së përgjithshme, synohet që ajo të ulet në 6% deri në 2030, ndërsa papunësia e të rinjve nën 15%. Ashtu si në mandatet e tjera, forcimi i barazisë në paga dhe politika aktive për punësimin e grave do të jenë objektiva edhe të këtij mandati.

Në 4 vitet e ardhshme do të transformohen shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, arsimi profesional do të jetë në fokus edhe të këtij mandati. Garancia Rinore e Bashkimit Evropian do të ofrojë punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi. Bashkë me të do të zgjerohet modeli dual i arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikimi ndërkombëtar i kualifikimeve.

Deri në 2030, 1 në 3 nxënës do të ndjekë arsimin profesional, shkollat profesionale pritet të kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.

Gjithashtu, do të ndërtohen programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim ekspertize dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.

Përgjatë 4 viteve synohet të garantohen kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, si dhe sistem social i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

Rritja e pagave do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve. Një pagë minimale dhe mesatare më e lartë do të garantojë stabilitet më të madh për familjet shqiptare e do të ofrojë një vlerësim real dhe të merituar për çdo punonjës.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat