Shqipëria Postuar më 22 Korrik 2026, 17:39

Program kombëtar për peshkimin dhe akuakulturën/ Rregulla për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave

Nga Alida Lula


Këshilli i Ministrave miratoi programin kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe të akuakulturës. Ky vendim përcakton rregullat për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, mjedisore, teknike e socio-ekonomike në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës.

Ai synon krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash për të mundësuar këshillimin shkencor, vlerësimin e gjendjes së burimeve ujore, menaxhimin e qëndrueshëm të peshkimit, si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare dhe rajonale, siç janë rekomandimet e Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun.


Programi shumëvjeçar, përcakton listën e detajuar të të dhënave, ata të fushatave kërkimore detare të detyrueshme, si dhe pragjet minimale për grumbullimin e të dhënave dhe kryerjen e fushatave kërkimore në det.
Të dhënat përfshijnë informacion mbi stoqet e peshkut, ndikimin e peshkimit në ekosistemin detar, aktivitetin e anijeve të peshkimit, kapacitetin e flotës, si dhe të dhëna socio-ekonomike për peshkimin, akuakulturën dhe sektorin e përpunimit të produkteve të peshkimit.


Sipas vendimit, të dhënat do të mblidhen në kuadër të një plani kombëtar pune, ndërsa Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik do të vlerësojë planet kombëtare dhe projektplanet e punës.
Gjithashtu, do të caktohet një koordinator kombëtar për grumbullimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, si dhe ruajtjen e të dhënave primare në regjistra elektronikë dhe marrjen e masave për mbrojtjen e tyre.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat