Shqipëria Postuar më 16 Dhjetor 2025, 11:33

Program Kombëtar për Parandalimin e Mbetjeve - Dokumenti: Nga shpërdorimi i ushqimit, te kompostimi në banesë. Skema tarifimi sipas sasisë

Nga Ola Mitre

Program Kombëtar për Parandalimin e Mbetjeve - Dokumenti: Nga

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik Programin Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve, një dokument strategjik që synon uljen e sasisë së mbetjeve të gjeneruara në vend dhe kalimin gradual drejt një modeli të ekonomisë qarkulluese.

Programi vendos parandalimin në krye të politikave për menaxhimin e mbetjeve, duke synuar shkëputjen e rritjes ekonomike nga rritja e mbetjeve, në përputhje me Direktivën Kuadër të Bashkimit Evropian për Mbetjet dhe me angazhimet e vendit në kuadër të procesit të integrimit europian.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare të përfshira në program, Shqipëria vijon të mbështetet kryesisht në asgjësimin e mbetjeve, ku një pjesë e madhe përfundon në landfille, ndërsa niveli i riciklimit dhe ripërdorimit mbetet i ulët, me vetëm 19% e mbetjeve (rreth 155,000 ton), që iu nënshtruan procesit të riciklimit ndërsa shumica e venddepozitimeve kërkon përmirësim të kontrollit mjedisor.

Ndërkaq, programi synon të adresojë këtë situatë përmes masave që reduktojnë mbetjet në burim, promovojnë ripërdorimin dhe zgjasin jetëgjatësinë e produkteve.

Dokumenti identifikon si rryma prioritare të ndërhyrjes mbetjet organike, mbetjet plastike, mbetjet e ambalazheve si dhe mbetjet nga ndërtimi dhe shembja. Një vëmendje e veçantë i kushtohet parandalimit të shpërdorimit të ushqimit, reduktimit të plastikës njëpërdorimshe dhe nxitjes së kompostimit në banesë, veçanërisht në zonat rurale.

Programi parashikon gjithashtu përdorimin e instrumenteve ekonomikë dhe fiskalë për të nxitur sjellje më të qëndrueshme, përfshirë skema tarifimi sipas sasisë së mbetjeve të gjeneruara, si dhe zgjerimin e prokurimit publik të gjelbër në institucionet shtetërore. Në këtë kuadër, autoritetet publike synojnë të udhëheqin procesin përmes shembullit, duke reduktuar mbetjet dhe përdorimin e produkteve njëpërdorimshe në aktivitetet dhe ndërtesat publike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat