Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2025, 11:30

Produktet e gatshme, në tregjet botërore - Rritet eksporti i agroindustrial, verërat shqiptare gjejnë më shumë hapësira

Nga Elisabeta Dosku

Produktet e gatshme, në tregjet botërore - Rritet eksporti i

Trendin e rritjes së eksporteve përgjatë këtij vitit e ka ndjekur edhe agroindustria. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se sektori i agroindustrisë shënoi një rritje prej 12,3% gjatë periudhës janar–qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vendi ynë eksportoi rreth 75 mijë tonë produkte agroindustriale.

Tek produktet agroindustriale përfshihen ato që përpunohen dhe shkojnë në formën e produktit të gatshëm apo gjysmë të gatshëm, siç janë drithërat dhe nënproduktet e tyre, pijett,  alkolike dhe jo alkoolike fruta dhe perime të përpunuara, vajra bimorë, etj.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, vëmendja e politikave mbështetëse është e përqendruar edhe tek agroindustria, me objektivin që ajo të zërë një peshë gjithnjë e më të madhe në totalin e eksporteve bujqësore, duke e kthyer në një motor të zhvillimit rural dhe ekonomik.

Ndërkohë në gjysmën e parë të vitit me rritje ka rezultuar edhe eksporti i verërave shqiptarë, falë rritjes së cilësisë së prodhimit, investimit në fabrika dhe variteteve autoktone.

Eksportet e verës shqiptare arritën në 17.785 ton gjatë periudhës janar-qershor 2025, duke shënuar 82% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Vreshtaria dhe prodhimi i verërave cilësore shqiptare sot është kthyer në një sektor kyç për zhvillimin ekonomik.

Pak ditë më parë Ministria e Bujqësisë bëri me dije se eksportet e produkteve bujqësore janë rritur me 10 për qind në sasi në 6 mujor, duke u regjistruar në 265.9 mijë ton. Ndërsa ndër produktet më të kërkuara nga tregjet e huaja janë bostanorët, të cilët në raport me vitin  e kaluar kanë shënuar një rritje me 44 %. Në total janë eksportuar afro 41. 760 ton pjepër dhe shalqin.

Objektivi i qeverisë është që përmes politikave mbështetëse për fermerët në drejtim të prodhimit, cilësisë dhe certifikimit të arrihet në nivelin e 1 miliardë dollarë eksporte deri në vitin 2030. Ndërkohë, produktet bujqësore shqiptare sot gjenden në 80 tregje ndërkombëtare.

Nga ana tjetër produktet shqiptare përgjatë sezonit veror zënë një vend të rëndësishëm edhe në tregun e brendshëm, duke furnizuar jo vetëm kërkesën konsumatorë vendase por edhe të turistëve të huaj, të cilët kur vizitojnë Shqipërinë janë më të orientuar drejt prodhimeve lokale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat