Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2026, 13:17

Prodhimi i naftës nga Albpetrol: 4-mujori/ Kompania shtetërore nxori rreth 21 mijë ton, Gorisht-Kocul kryeson

Nga Ola Mitre

Prodhimi i naftës nga Albpetrol: 4-mujori/ Kompania shtetërore nxori

Rreth 21 mijë ton naftë u prodhua nga kompania shtetërore Albpetrol gjatë 4 muajve të parë të këtij viti. Të dhënat e publikuara nga vetë kompania tregojnë se prodhimi vijon të mbetet në nivele thuajse të njëjta në raport me vitet e kaluar.

Prodhimi më i madh vijon të sigurohet nga vendburimi Gorisht–Kocul. Sipas të dhënave të detajuara të Albpetrol, nga ky vendburim janë nxjerrë rreth 9,634 ton naftë. Pas tij renditet Kuçova me 5,191 ton dhe Cakran–Mollaj me 3,939 ton. Ndërkohë, prodhimi në Patos rezulton rreth 1,306 ton, ndërsa në Amonicë 960 ton.

Aktualisht Albpetrol zhvillon aktivitetin e nxjerrjes së naftës në vendburimet Kuçovë, në pjesën jugore të Patos-Marinzës, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Amonicë dhe Karbunarë.

Të dhënat ndër vite tregojnë se prodhimi i kompanisë shtetërore mbetet ndjeshëm poshtë niveleve të regjistruara rreth një dekadë më parë. Rekordi i periudhës së fundit u shënua në vitin 2017, kur Albpetrol prodhoi mbi 93 mijë ton naftë, ndërsa në vitin 2018 prodhimi arriti në rreth 89.5 mijë ton.

Pas nivelit minimal prej rreth 40.9 mijë tonësh të regjistruar në vitin pandemik 2020, prodhimi u rikuperua dhe në periudhën 2022–2024 u stabilizua pranë nivelit të 70 mijë tonëve në vit. Megjithatë, gjatë vitit 2025 u regjistrua sërish rënie, me prodhimin që zbriti në 64.9 mijë ton, rreth 5.3 mijë ton më pak se një vit më parë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat