Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2025, 12:16

Prodhimi i energjisë nga TEC-et lundrues/ KESH synon blerjen e 15 mijë ton karburant, hap tenderin

Nga Ola Mitre

Prodhimi i energjisë nga TEC-et lundrues/ KESH synon blerjen e 15 mijë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do blejë 15 mijë ton karburant, që do të shërbejë për prodhimin e energjisë nga 2 TEC-et lundrues, që ndodhen në Vlorë.  Ky dikaster ka hapur tenderin, teksa në dokumentet shoqëruese jepen specifikimet teknike për lëndën djegëse dhe sasinë e kërkuar. Sipas këtyre specifikimeve, konsumi i parashikuar i lëndës djegëse për 1 mWh është rreth 229 kg, çka do të thotë se sasia e karburantit që synohet të blihet, do të shërbejë për prodhimin e një totali prej rreth rreth 65,500 mWh energji.  

Blerja e kësaj sasie argumentohet me nevojën e sigurimit të një kapaciteti ruajtës të lëndës djegëse me qëllim sigurimin e vijueshmërisë së furnizimit me lëndë djegëse në vendin e përdorimit dhe të prodhimit nga aseti termik. Kjo pasi, asetet lundruese kanë kapacitete të menaxhimit dhe ruajtjes së lëndës djegëse në një total prej rreth 1 mijë ton lëndë djegëse.

Po ashtu, përcaktohet se për qëllime të funksionimit, asetet termike kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%. Kjo lëndë djegëse e kërkuar për furnizim, është lëndë e cila nuk prodhohet apo nuk gjendet lehtësisht brenda vendit, për shkak të sasisë së përcaktuar të squfurit.

TEC-et lundrues u pozicionuan në Portin e Triportit në shtator të vitit 2022, pas një procedure të ndërmarrë në kuadër të krizës energjetike, por prodhimi i tyre nisi në 2024-ën. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat