Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2025, 10:05

Procedura/ Si do lëshohen faturat nga prodhuesit? - Tatimet: Ja rastet kur fermerët nuk kanë detyrim të deklarojnë të ardhurat

Nga Elisabeta Dosku

Procedura/ Si do lëshohen faturat nga prodhuesit? - Tatimet: Ja rastet kur

Ndërsa një ditë më parë ka nisur aksioni në terren për verifikimin e faturës së fiskalizuar tek tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, administrata tatimore ka sqaruar procedurën se si lëshohen faturat.

Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se për lëshimin e saktë të këtyre faturave, tatimpaguesit duhet të ndjekin disa hapa:

Të zgjidhet opsioni “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën; Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic); Të vendosen të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i) dhe të përshkruhen mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në.

Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri).

Administrata Tatimore sjell në vëmendje të tatimpaguesve të këtij sektori se për të qenë subjekt kompensimi duhet të plotësojnë kushtet për t’u regjistruar si “fermer”.

Gjithashtu, qarkullimi vjetor të mos kalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në; Të furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre, kryer në një nga aktivitetet e përcaktuara;  Këto mallra dhe shërbime t’u furnizohen personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompesimit;  Të jenë të pajisur me NIPT nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku ushtrojnë aktivitetin prodhuesi bujqësor, pa i’u nënshtruar detyrimit për deklarim, sipas ligjit për TVSH-në.

Tatimet sqarojnë  se kategoria e fermerëve të regjistruar në Drejtoritë Rajonale Tatimore nuk ka detyrim të mbajë kontabilitet, të deklarojë dhe dorëzojë në Administratën Tatimore Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi apo Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale për të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i fermerit.

Sa më lart, të ardhurat e realizuara nga këta fermerë janë të ardhura biznesore, pra fermeri nuk mbart detyrimin ligjor të deklarimit të tyre. Si vlerë totale e të ardhurave të realizuara shërbejnë të dhënat sipas faturave të blerjes të lëshuara nga grumbulluesit bujqësorë.

Nëse qarkullimi vjetor tejkalon kufirin prej 10 milionë lekë, prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë (fermeri) duhet të ç’regjistrohen nga organi tatimor dhe të regjistrohen si tatimpagues pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke marrë numër identifikimi të ri.

Sa i takon prodhuesve të tjerë bujqësorë, që nuk janë regjistruar si përfitues të kësaj skeme kompensimi apo që nuk tregtojnë produktet bujqësore tek grumbulluesit bujqësorë, mbartin detyrimin të regjistrohen dhe të deklarojnë të ardhurat e realizuara njëjtë si tatimpaguesit e tjerë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat