Shqipëria Postuar më 6 Janar 2026, 13:31

Probleme në të gjithë vendin nga reshjet e shiut - Strukturat përkatëse, në terren për normalizimin e situatës

Nga Fabjona Pasho

Probleme në të gjithë vendin nga reshjet e shiut - Strukturat

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit që prej orëve të para të ditës së sotme. Për pasojë janë evidentuar disa problematika. Që në momentet e para të gjitha strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Në zonën veriore reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të lartë duke sjellë rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës dhe prurje uji të mëdha.

Në aksin Bogë-Theth ka pasur reshje dëbore, ndërsa në Dushaj–Lekbibaj në km 4, ka ndodhur një rreshqitje duke vështirësuar qarkullimin. Po punohet për largimin e materialit nga pjesa kaluese e rrugës. Në aksin Vorë-Maminas në km 2 ka prezencë të ujit në rrugë. Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, aktualisht në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune, ku rajoni më i prekur është Durrësi, ndikuar nga moti i keq dhe prezenca e ujit në kabina.

Të gjitha linjat që furnizojnë hidrovorët janë në funksion, përveç segmentit në Synej të Kavajës, për të cilin është duke u punuar. Linjat 35kV dhe nënstacionet furnizojnë normalisht me energji elektrike. Në rrjetin e transmetimit të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal, ndërsa brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri.

Në Nënstacionin Rrashbull 220/110 kV ka prani të shtuar uji në sheshin e nënstacionit dhe ekipet e OST-së, në bashkëpunim me Emergjencat Civile po marrin masat e nevojshme për evadimin e ujit.

Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë, prurjet në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës vijojnë të mbeten të larta, pa shfaqur tendencë rënieje. Aktualisht, këto njësi prodhimi janë në punë me kapacitet të plotë, me gjithsej 9 agregate në funksion. Uji i ardhur përpunohet për vënien në punë të njësive prodhuese, rezervohet në liqene brenda kuotave të lejuara dhe pjesa tjetër shkarkohet në mënyrë të detyrueshme, me qëllim garantimin e sigurisë së veprave prodhuese.

Sa i përket furnizimi me ujë, situata paraqitet problematike në rajonin e Durrësit, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë që vijojnë pa ndërprerje. Të gjitha stacionet e pompave janë në funksion të plotë dhe niveli i kanalit të hidrovorit është maksimal.

Situata vlerësohet e rënduar, me rrezik për agravim për shkak të vazhdimit të reshjeve intensive, ndërsa strukturat përkatëse janë në terren dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në porte dhe aeroporte situata paraqitet normale në portet e Durrësit dhe Sarandës, ndërsa në atë të Vlorës nuk ka pasur traget në nisje dhe as anije të tjera të ankoruara.

Në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vazhdojnë normalisht, ndonëse situata meteorologjike në zonën përreth është e ngarkuar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat