Shqipëria Postuar më 10 Janar 2026, 11:04

Probleme në disa akse rrugore - ARRSH: Kontraktorët, në terren për të bërë pastrimin

Nga Dorian Koça

Probleme në disa akse rrugore - ARRSH: Kontraktorët, në terren

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut në të gjithë territorin e vendit, duke sjellë rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trup të rrugës. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), reshje dëbore ka pasur në zonën veriore, në lartësi mbi 1100 m, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë.

Ndërkohë, akset që kanë pasur probleme: Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, Valare-Erind-Çajup (km 7+600): rrëshqitje aktive, aksi i bllokuar në këtë vend po punohet për hapjen.

Në aksin Korçë-Dardhë ka shkarje anësore e trupit të rrugës dhe situata po monitorohet, Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit), ka shkarje masive aktive, zgjerim i çarjes rreth 10 cm.

Në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë ka patur rrëshqitje dherash dhe po kryhet pastrimi, ndërsa në Skuraj-Peshkopi, rënie gurësh dhe inertesh, ku grupet e punës po kryejnë pastrimin.

Dushaj-Lekbibaj: rënie masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit, qarkullimi vijon me kujdes, Shkalla e Zezë (Gjirokastër): rrugë njëkalimshme, kërkohet vëmendje e shtuar, ndërsa në Llogara ka mjegull të denudur.

Sipas ARRSH, kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve rrugore. Drejtuesve të mjeteve u kërkohët të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat