Shqipëria Postuar më 19 Janar 2026, 23:07

Problem në linjën OST/ Normalizohet furnizimi me energji elektrike në disa zona të kryeqytetit

Nga Scan TV

Sot në mbrëmje, rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Brigadat e OST-së, në gatishmëri të plotë, identifikuan menjëherë defektin në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.

Ndërkohë, nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në bashkëpunim me OSHEE-në, përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.

Menjëherë pas identifikimit të defektit, brigadat e linjave në terren morën masat për riparimin e tij. Paralelisht, grupet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes manovruan linjat rezervë përmes skemave unazë, me qëllim minimizimin e ndikimit te konsumatorët.

Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.

Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat