Shqipëria Postuar më 18 Prill 2025, 11:17

Privatizimi i pronave me kontratë qiraje 1 euro - Ndryshojnë rregullat, si do të shiten tek subjektet që i kanë në përdorim

Nga Elisabeta Dosku

Privatizimi i pronave me kontratë qiraje 1 euro - Ndryshojnë

Pronat e dhëna me qira 1 euro do të mund të privatizohen nga subjektet që i kanë në përdorim me kontratë. Projektligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave përcakton  procedurat dhe rregullat që duhet të ndiqen për shitjen e pronës shtetërore të marrë me qira sipas kontratave “1 euro/kontrata”. Në këtë rast janë parashikuar kushtet se kur aplikohet kërkesa për blerjen e një prone shtetërore e marrë me kontratë 1 euro si dhe rregullat që do të ndjekë ministria përgjegjëse për ekonominë për monitorimin e këtyre kontratave.

Sipas projektligjit,  “Në rast se nga informacioni zyrtar i marrë nga  Agjencia Shtetërore e Kadastrës rezulton se  objekti i kontratës së qirasë me tarifë 1 euro/kontrata nuk është në regjistrat kadastralë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse, trualli do të shitet nga struktura për shitjen e pronës publike dhe lidhja e kontratës bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil, pasi të jetë bërë pagesa e plotë sipas vlerësimit të objekteve, bazuar dhe në vendimin e Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës.”.

Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin për përfshirjen në procedurë privatizimi të pronës shtetërore, objekt kontrate të dhënë me qira me tarifë 1 euro/kontrata, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m2, përpara përfundimit të kontratës së qirasë.”.

Neni 34 që shtohet në vendim e vitit 2014, parashikon kushtet që duhet të plotësohen për tu aplikuar kërkesa nga ana e qiramarrësit të pasurive shtetërore mbi 500 m2 të dhëna me qira sipas kontratave  me tarifën “1 euro/kontrata”.

Konkretisht kur prona shtetërore ka përmbushur kriteret ligjore dhe objekt i kontratës është vetëm trualli, subjektit i lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë, sipas procedurës së mëposhtme:

Në këtë rast, drejtoria përgjegjëse për monitorimin e kontratave, pasi ka marrë miratimin e ministrit, në zbatim të akteve nënligjore në fuqi për fillimin e procedurave të privatizimit të drejtpërdrejtë, e përcjell dosjen te struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike për vijimin e procedurave. Dosja duhet të përmbajë: Kontratat dhe anekset e kontratave të qirasë me tarifë 1 euro/kontrata, shoqëruar me dokumentacionin kadastral, genplanin dhe procesverbalin e dorëzimit; Aktmonitorimet e qirasë; Urdhrin e ministrit përgjegjës për ekonominë për miratimin e vlerës së investimit dhe fillimin e procedurave të privatizimit të drejtpërdrejtë së pronës shtetërore, objekt i kontratës së qirasë.

Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike i drejtohet Agjencisë së Trajtimit Pronave për të marrë konfirmimin nëse ka pronar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave dhe çmimin e truallit objekt privatizimi. Pas marrjes së konfirmimit nga ATP-ja, ministri përgjegjës për ekonominë emëron ekspertin vlerësues të pasurisë, të licencuar, i cili harton genplanin e pronës, objekt kontrate me tarifë 1 euro/kontrata dhe përcakton vlerën e pronës.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat