Shqipëria Postuar më 12 Maj 2026, 13:14

Privatësia, si do të trajtohen të dhënat biometrike dhe gjenetike? - Komisioneri Dervishi: Garanci për qytetarët dhe standard për administratën

Nga Diamila Leka

Privatësia, si do të trajtohen të dhënat biometrike dhe

Mbrojtja e të dhënave personale në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë publike, si dhe roli i Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale ishin në fokus të aktivitetit ndërgjegjësues të organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike.

Komisioneri Dervishi nënvizoi se mbrojtja e të dhënave personale nuk duhet parë si pengesë për institucionet ligjzbatuese, por si një standard demokratik që rrit besimin e publikut tek institucionet.

“Përdorimi i të dhënave personale për parandalimin, hetimin apo ndjekjen e çështjeve penale, duhet të jetë gjithmonë i bazuar në ligj, proporcional dhe i nevojshëm me qëllimin përkatës. Ligji 124 i vitit 2024 për mbrojtjen e të dhënave personale, përcakton parimet si vijon: Ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, kufizimin e qëllimit, minimizimin e të dhënave, saktësinë. Këto nuk janë vetëm kërkesa procedurale, por janë garanci reale për shtetasit dhe standarde profesionale për administratën publike. Rëndësi të veçantë ka trajtimi i kategorive të veçanta të të dhënave personale, si të dhënat biometrike, gjenetike, apo të dhëna të tjera sensitive, të cilat kërkojnë masa të shtuara sigurie dhe mbrojtje më të fortë të të drejtave të individit. Zyrja e Komisionerit është institucion mbikëqyrës, garant i të drejtave themelore, institucion i sigurisë kombëtare dhe partner institucional në forcimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale. Në funksion të ligjit të ri, Zyra e Komisionerit ushtron kompetenca të zgjeruara mbikëqyrëse dhe hetimore, kryen inspektime, verifikon përputhshmërinë me ligjin, kërkon masa korrigjuese dhe vendos masa administrative. Gjithashtu, ka rëndësi roli këshillimor dhe edukues, që Zyra e Komisionerit përpiqet të zbatojë dhe kultivojë.”

Zyra e Komisionerit ritheksoi angazhimin e saj për të mbështetur institucionet publike në zbatimin e legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, në funksion të garantimit të të drejtave themelore të qytetarëve dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat