Shqipëria Postuar më 25 Shkurt 2025, 17:42

Prezantohet Kryetari i ri i Bordit të AMF, Saimir Tola

Nga SCAN TV

Prezantohet Kryetari i ri i Bordit të AMF, Saimir Tola

Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi, prezantoi Kryetarin e ri të Bordit të AMF,  Saimir Tola, në prani të drejtuesve të institucionit. Emërimi i Tolës në këtë detyrë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Shalsi theksoi rëndësinë e këtij emërimi që plotëson Bordin e Autoritetit si organi më i lartë drejtues dhe vendimmarrës, ndërsa shprehu mbështetjen e Komisionit ndaj Autoritetit në forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe funksioneve të tij mbikëqyrëse dhe rregullatore. “AMF është një institucion i rëndësishëm rregullator për tregjet financiare jobankare dhe si i tillë kompletimi i Bordit me emërimin e Saimir Tola uroj të kontribuojë pozitivisht në konsolidimin e mëtejshëm të Autoritetit, si edhe në ruajtjen e profesionalizmit dhe integritetit të gjithsecilit,” u shpreh Shalsi.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, Mimoza Kaçi falënderoi Komisionin për Ekonominë dhe Financat për bashkëpunimin dhe rekomandimet e dhëna përmes rezolutave, që kanë shërbyer si udhërrëfyes për punën e Autoritetit. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Bordin për vijimin e punës në përmbushje të misionit dhe objektivave të institucionit. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për përafrimin e kuadrit ligjor dhe avancimin e standardeve me praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare, si dhe në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje”.

Kryetari i Bordit të AMF, Saimir Tola, falënderoi Kuvendin për besimin dhe shprehu angazhimin për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të institucionit. “Autoriteti ka një rol kyç në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve financiare jobankare. Të gjithë bashkë do të vijojmë të japim kontribut për rritjen e besimit në këto tregje dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre,” theksoi Tola.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat