Shqipëria Postuar më 25 Dhjetor 2025, 10:41

Porti i Durrësit, rritje në mallra e pasagjerë/ Janar–Nëntor, 3.5 milionë ton mallra të përpunuara 

Nga Ernilda Luzi

Porti i Durrësit, rritje në mallra e pasagjerë/

Porti i Durrësit vijon të konsolidojë pozicionin e tij si nyja kryesore e transportit detar në Shqipëri, duke shënuar rezultate pozitive gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025.

Sipas Autoritetit Portual Durrës, volumi total i mallrave të përpunuara ka tejkaluar 3.5 milionë tonë, me një rritje prej 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në rreth 203 mijë ton mallra më shumë të trajtuara në katër terminalet portuale të Durrësit.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2.664.265 ton mallra importi dhe 861.370 ton eksporte, duke konfirmuar rolin e portit si një qendër strategjike për furnizimin e tregut vendas dhe njëkohësisht si korridor i rëndësishëm për eksportin e produkteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare, thekson Autoriteti Portual i Durrësit.

Një ndikim të veçantë në rritje ka dhënë intensifikimi i importeve, të cilat janë rritur me 23.7%, duke reflektuar gjallërim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të besueshmërisë së Portit të Durrësit si qendër logjistike e rëndësishme në rajon.

Edhe sektori i konteinerëve ka shënuar performancë pozitive. Gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë përpunuar 207.655 kontejnerë, me një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma tonazhi, në terminalin e konteinerëve janë trajtuar mbi 1.92 milionë tonë mallra, që përfaqëson një rritje prej 2.9%, duke dëshmuar rritje të qëndrueshme të flukseve të mallrave të konteinerizuara.

Rritje është vërejtur edhe në trafikun e pasagjerëve. Gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë regjistruar 726.824 udhëtarë, ose rreth 1% më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, mbi 341 mijë pasagjerë janë regjistruar në hyrje të vendit, ndërsa 386 mijë të tjerë kanë udhëtuar drejt porteve italiane.

Në analizën progresive nëntor 2024 – nëntor 2025, janë realizuar 922 lundrime tragetesh nga dhe drejt Portit të Durrësit, duke konfirmuar rolin e portit në mbështetje të turizmit dhe lëvizjes ndërkufitare.

Një trend pozitiv është regjistruar edhe në transportin e mjeteve, ku gjatë janar–nëntor 2025 janë transportuar gjithsej 253,485 mjete, autovetura, kamionë dhe trailerë, me një rritje prej 5.967 mjetesh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat