Shqipëria Postuar më 31 Mars 2026, 10:30

Porti i Durrësit, rritje 12% në përpunimin e mallrave - APD: Janë përmirësuar shërbimet dhe optimizuar proceset

Nga Ernilda Luzi

Porti i Durrësit, rritje 12% në përpunimin e mallrave - APD:

Porti i Durrësit raporton një ecuri pozitive në përpunimin e mallrave gjatë fillimit të vitit 2026. Autoriteti Portual i Durrësit bën të ditur se, përgjatë dy muajve të parë të vitit është shënuar një rritje e volumit të mallrave të përpunuara në port.

Vetëm në muajin shkurt, përpunimi i mallrave ka njohur një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje tregon një intensifikim të  aktivitetit në kalatat portuale dhe një kërkesë në rritje për shërbimet që ofron Porti i Durrësit.

Ndërkohë, në total, dy mujori i parë i vitit 2026 reflekton një rritje prej 5.4%, duke konfirmuar një trend pozitiv në aktivitetin portual.

Ky zhvillim lidhet me intensifikimin e punës në kalatat e portit dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin operacional. Autoriteti Portual i Durrësit thekson se përmirësimi i shërbimeve dhe optimizimi i proceseve po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e performancës dhe në rritjen e kapaciteteve përpunuese.

Gjithashtu, rritja e volumit të mallrave pasqyron edhe një gjallërim të shkëmbimeve tregtare. Porti i Durrësit është porti kryesor i Shqipërisë, që vijon të luajë një rol të rëndësishëm në lidhjen e tregut shqiptar me rajonin dhe më gjerë.

Autoriteti Portual Durrës vijon të investojë në infrastrukturë dhe shërbime, për të përballuar më mirë flukset në rritje dhe për të përmirësuar përvojën e udhëtarëve.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat