Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2025, 11:29

Porti i Durrësit, mbi 2 milionë ton mallra në 7 muaj - Bajraktari: 30% më shumë importe, forcim i pozitës portuale

Nga Diamila Leka

Porti i Durrësit, mbi 2 milionë ton mallra në 7 muaj -

Në periudhën 7-mujore të këtij viti në kalatat e Portit të Durrësit janë përpunuar mbi 2 milionë tonë mallra, duke regjistruar një rritje prej 6,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në një intervistë për Scan Tv, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari u shpreh se kjo rritje përkthehet në rreth 138 mijë tonë më shumë mallra të përpunuara, një tregues i qartë i rolit të konsoliduar të portit në zinxhirin e furnizimit kombëtar dhe rajonal. Por cilat janë shfirat përsa i përket importeve në Portin e Durrësit?

"Sa i përket importeve, dhe jo vetëm importeve por gjithashtu dhe eksporteve, të dhënat dhe referuar statistikave të Autoritetit Portual Durrës, tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë rreth 1.76 ton mallra, dhe janë eksportuar rreth 537 mijë ton mallra drejt tregjeve ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe ne kemi një rritje me 30% të importeve, e cila reflekton kërkesën e shtuar të tregut vendas, dhe forcimin e pozitës së Portit të Durrësit, si qendër logjistike dhe tregtare, jo vetëm në nivel kombëtar, por gjithashtu dhe në rajon.”

Duke qenë se jemi në përfundim të sezonit turistik, shifra pozitive ka edhe në hyrje-daljet e pasagjerëve përmes këtij porti.

“Në sektorin e përpuinimit të udhëtarëve, në Portin e Durrësit, kemi një rritje me rreth 4%. Në total gjatë kësaj periudhe janar-korrik 2025, janë përpunuar rreth 350 mijë udhëtarë, ku vlen për t’u theksuar numri i lartë i udhëtarëve që kanë mbërritur në portin e Durrësit i cili është rreth 195 mijë udhëtarë dhe numri i udhëtarëve të cilët kanë udhëtuar nga porti i Durrësit, në drejtim të shteteve fqinje, është rreth 157 mijë udhëtarë.”

Edhe në sektorin e përpunimit të konteinerëve, Porti Durrësit ka shënuar rritje, ku sipas Bajraktarit, gjatë kësaj periudhe janë përpunuar 128 mijë njësi konteinerike, duke regjistruar një rritje mesatare prej 9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas tij, ky tregues pasqyron jo vetëm rritjen e fluksit të mallrave, por edhe zhvillimin e shërbimeve logjistike dhe efikasitetin operativ të portit.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat