Shqipëria Postuar më 6 Maj 2026, 11:35

“Porta e Alpeve”, çfarë sjell projekti 100 mln euro për veriun? - Yzeiraj: Më shumë turizëm, rritet vlera e pronës me 10-15%

Nga Elisabeta Dosku

“Porta e Alpeve”, çfarë sjell projekti 100 mln euro

Projekti ”Porta e Alpeve”, që do të shërbejë si një korridor blu midis bregdetit dhe veriut të Shqipërisë, pritet të nisë së shpejti, për ti dhënë një hov të ri zhvillimi turizmit dhe për të krijuar të ardhura më të larta për banorët.

Komisioni i Bujqësisë ka diskutuar dhe miratuar projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për këtë projekt,”  i cili ka një vlerë prej 100 milionë euro, nga të cilat 50 milionë sigurohen përmes huasë së BERZH .

“Pjesë e një programi të gjerë investimesh që synon të sjellë një qasje për zhvillim të integruar të rajoneve të vendit. Sa i takon termave financiare, afati i zbatimit do të jetë prej 5 vitesh, kontrata ka maturitet prej 25 vitesh, ka një periudhë grace për 5 vitet e para, norma e interesit është 3.8-3.9 për qind.  Është një kredi e butë dhe e vlefshme për buxhetin e shtetit”, tha Endrit Yzeiraj, Zv.Ministër i Financave.

Përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Fatjon Nanaj, theksoi se aktualisht është hartuar dhe një listë investimesh prioritare në kuadër të këtij projekti.

“Programi porta e alpeve është një vazhdën e një qasje ndryshe të FSHZH, fokusi është zona veriperëndimore e Shqipërisë për të krijuar një lidhje strategjik dhe për të mundësuar që i gjithë fluksi turistik të shtrihet dhe në alpe duke krijuar një korridor blu që lidh pjesën e bregdetit dhe të alpeve. Programi ka nisur para 4 vitesh. Janë kryer një sërë studimesh paraprake.  Puna pritet të nisë shumë shpejt, është hartuar dhe një listë investimesh prioritare e dakordësuar me aktorët lokalë”.

I pyetur nga deputetët për mënyrën e financimit dhe impaktin, zv. Ministri i Financave theksoi se implementimi tij do të rrisë të ardhurat në buxhet dhe rritje të vlerës së pronës.

"Gjysmën tjetër të investimit prej 50 milionë eurosh, synojmë ta sigurojmë si financim nga Banka Gjermane e Zhvillimit,  KFW. Parashikojmë rritje 10 % për vizitor dhe 15-20 milionë euro të ardhura shtesë në vit nga ky projekt dhe rritje të vlerës së pronës 10-15 %.”

Projekti është i fokusuar në zonën e Lezhës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dhe synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe pjesën tjetër të vendit. Projekti përfshihet përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit, investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat