Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 10:42

Policia masa për ndeshjen Shqipëri-Izrael: Bllokime rrugësh pranë “Air Albania”!

Nga Edel Strazimiri

Policia masa për ndeshjen Shqipëri-Izrael: Bllokime rrugësh

Policia e Shtetit njoftoi sot planin e detajuar të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, plani i masave është mbështetur në përvojën pozitive të fituar nga organizimi dhe menaxhimi i aktiviteteve ndërkombëtare sportive dhe synon garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit, si dhe sigurinë e tifozëve dhe qytetarëve.

Për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar perimetrin e sigurisë pranë stadiumit, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të përkohshme të lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, duke nisur nga ora 16:00 e datës 3 qershor deri në përfundim të ndeshjes.

Rrugët që do të jenë të bllokuara janë:

·         Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;

·         Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

·         Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

·         Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

·         Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;

·         Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

·         Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

·         Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

·         Sheshi “Willson”, ku do të devijohet lëvizja drejt rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Ndërkohë, Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e automjeteve.

Në kuadër të masave të sigurisë, punonjësit e Policisë së Shtetit do të kryejnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh dhe sende të tjera të forta apo të rrezikshme.

Policia u ka bërë thirrje tifozëve të paraqiten pranë hyrjeve të stadiumit duke filluar nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe problematikat që mund të krijohen nga fluksi i lartë i pjesëmarrësve pak para nisjes së ndeshjes.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij aktiviteti sportiv janë angazhuar qindra efektivë policie, të cilët do të jenë në terren për të ofruar asistencë dhe informacion për qytetarët dhe tifozët, me synim zhvillimin pa incidente të ndeshjes dhe ruajtjen e imazhit të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat