Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2025, 14:32

Pol i ri turistik në Sarandë - FSHZH hap tenderin 380 mln lekë, ndërhyrje te “Kodra e Gjashtës”

Nga Ola Mitre

Pol i ri turistik në Sarandë - FSHZH hap tenderin 380 mln lekë,

Zona e quajtur “Kodra e Gjashtës” në Sarandë do të kthehet në pol turistik. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin me fond limit rreth 380 mln lekë, që ka si objekt investimin për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit.

Sipas dokumenteve të tenderit, “Kodra e Gjashtës” është një nga zonat më të pasura në aspektin natyror në qytetin e Sarandës. Shtrirja e saj prej rreth 3 hektarësh është e mbuluar me gjelbërim të dendur, duke e bërë atë një oaz natyror brenda qytetit. Por, aktualisht zona nuk është e sistemuar plotësisht dhe ka nevojë për një sistemim total përsa i përket aksesit. “Rrugët gjenden të pashtruara me materialet e nevojshme për funksion të plotë”, - thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.

Ndaj Poli Turistik i Sarandës, si një kampus Eco-Smart, ka si qëllim të transformojë zonën në një qendër të integruar kulturore dhe ekonomike që ndërthur akomodimin, turizmin, artin, edukimin, kulturën dhe jetën e komunitetit. “Projekti synon të rigjallërojë asetet e degraduara përmes ndërhyrjeve të qëndrueshme, duke ofruar një platformë për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe promovimin e vlerave unike të rajonit”, - bën me dije FSHZH.

Në thelb të këtij objektivi qëndron krijimi i një modeli ekonomik inovativ që lidh turizmin me edukimin, duke mundësuar uljen e papunësisë, rritjen e aftësive të specializuara dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin lokal. Përmes këtij projekti, synohet që Saranda të kthehet në një destinacion turistik tërheqës dhe një qendër zhvillimi që pasqyron harmoninë mes natyrës, kulturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndër të tjera, ndërhyrjet do të konsistojnë në:  Rehabilitimin e shtresave për parkimin dhe rrugët brenda zonës së projektit; vendosjen e vendeve të parkimit; sistemimin e hapësirave të jashtme në funksion të shkollës 9 - vjeçare, hapësirës së aktiviteteve, objektit qeveritar, zonës së akomodimit, gjelbërimit, etj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat