Shqipëria Postuar më 6 Qershor 2025, 12:55

Plani i vendosjes së Forcave të Armatosura - Në Kuvend, projektligji për komandimin e tyre dhe vendin e stërvitjeve

Nga Ledina Elezi


Plani i vendosjes së Forcave të Armatosura - Në Kuvend,

Përcaktimi i saktë i pushteteve dhe autoriteteve të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura, në kohë paqeje dhe lufte është synimi kryesor i projektligjit më të fundit të depozituar në Kuvend lidhur me Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Në projektligj janë bërë disa ndryshime për sa i përket emërimit, lirimit dhe shkarkimit nga detyra të oficerëve dhe të ngarkuarve të tjerë prej Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.

Për herë të parë në këtë projektligj përcaktohet qartë edhe “Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura”. Ky është një plan me karakter strategjik, në të cilin përcaktohen vendndodhja e zonave dhe objekteve, ku kryejnë aktivitetin e tyre ditor për punë, jetesë, stërvitje, përgatitje për operacione, përkujdesje, si dhe marrin mbështetje logjistike dhe administrative Forcat e Armatosura.

Sipas projektligjit, ky plan hartohet nga Shtabi i Përgjithshëm bazuar në planin afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura dhe përmban detyrimisht emërtimin dhe vendndodhjen e strukturës, si dhe koordinatat.

Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura rishikohet periodikisht çdo 5 vjet dhe në çdo kohë, në rastet e ndryshimeve të nevojave të Forcave të Armatosura, përputhshmërisë me nevojat operacionale për mbështetjen e operacioneve dhe të plotësimit të standardeve të NATO-s, investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike, që prekin një pronë brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura.

Nga ana tjetër, për sa i përket pronave nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligji parashikon që  pronat brenda dhe jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes mund të jepen për përdorim të dyfishtë, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, për aq kohë sa nuk cenohen kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Pra këto prona mund të jepen për qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo forma të tjera.

Këto ndërhyrje cilësohen si të domosdoshme për të forcuar më tej gatishmërinë dhe aftësitë luftarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat